Mendel e akuzoi Zelenskin: Ai mban 40 për qind të përgjegjësisë për luftën në Ukrainë

Julia Mendel, ish-zëdhënësja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, kritikoi ashpër menaxhimin e tij të luftës dhe vlerësoi se ai është po aq përgjegjës për konfliktin sa edhe presidenti rus Vladimir Putin.
"Mendoj se Zelenski mban të njëjtën përgjegjësi për këtë luftë si Putini. Ndoshta 60 me 40, Zelenski 40 për qind, dhe Putini 60 për qind", tha Mendel në një intervistë për britanikun "Telegraph".
Ajo e quajti strategjinë ushtarake të presidentit ukrainas "vetëvrasje kombëtare" dhe tha se Ukraina duhet të mendojë për të hequr dorë nga një pjesë e territorit të saj, duke përfshirë Donbasin, si dhe nga ambiciet e saj për anëtarësim në NATO.
Mendel punoi me Zelenskin për dy vjet, dhe la pozicionin e zëdhënëses në vitin 2021, disa muaj para fillimit të pushtimit rus. Ndërsa më parë e kishte paraqitur pozitivisht në librin e saj, tani e quan atë pengesën kryesore për paqen dhe e akuzon se përpiqet të heshtë kritikët.
Në shtator, ndaj saj u vendosën sanksione ukrainase për shkak, siç thuhet, të përhapjes së dezinformatave dhe propagandës ruse. Mendel i mohon akuzat se punon për Rusinë dhe paralajmëron se do të luftojë kundër sanksioneve përmes kanaleve ligjore.
Ish-zëdhënësja mendon se Ukraina duhet të jetë e gatshme për koncesione territoriale dhe se nuk duhet të vazhdojë luftën për shkak të perspektivës së pasigurt për anëtarësim në NATO. Ajo gjithashtu kritikon udhëheqësit perëndimorë sepse, sipas mendimit të saj, ata nuk flasin mjaftueshëm me Putinin.
Mendel më parë ishte e ftuar në emisionin e komentatorit amerikan Tucker Carlson, ku bëri pretendime për koncesionet e supozuara që Zelenski ishte i gatshëm t9i bënte ndaj Rusisë në vitin 2022. Sipas mediave, ajo nuk ofroi prova për këto pretendime.
Deklaratat e saj shkaktuan kritika në Ukrainë, dhe disa kritikë besojnë se kjo retorikë mbështet përpjekjet ruse për të dobësuar mbështetjen perëndimore për Kievin.



