Tevezi i Fergit donte të më ulte çmimin, u transferova te City nga hakmarrja

Legjendari argjentinas, Carlos Tevez, foli për periudhën e karrierës së tij kur ishte pjesë e Manchester United dhe Manchester City.
Karriera e Carlos Tevez ishte e mbushur me trofe, por edhe me polemika. Gauchos temperament të ndezur shkaktuan zemërim te tifozët e Manchester United kur u transferua te rivalët qytetarë të City, me të cilët u shpall përsëri kampion i Anglisë.
Si ndodhi ky transferim, argjentinasi e zbuloi në një bisedë me ish-shokun e tij të skuadrës në klubin e "Old Trafford", Rio Ferdinand.
Tevez kaloi dy sezone te United si lojtar i huazuar nga West Ham. Në atë periudhë fitoi Ligën e Kampionëve dhe luajti në finale, fitoi dy Premier League, një FA Cup dhe League Cup dhe Kampionatin Botëror të Klubeve në vitin 2008.
Edhe pse mbante me sukses fanellën e "Djajve të Kuq" dhe shënoi 34 gola në 99 paraqitje, me 14 asistime, Manchester United nuk e bleu kontratën e tij.
Në vend të kësaj, ai përfundoi te rivalët qytetarë. Ai thotë – nga hakmarrja.
"Ah, Rio, shiko... Ndihem që dhashë shumë për të dy klubet. Kisha periudha të mira edhe te United edhe te City... ishte një lloj hakmarrjeje nga ana ime, sepse nuk më u kthye në të njëjtën masë ajo që dhashë", tha Tevez kur Ferdinand e pyeti se cili nga dy klubet e Manchesterit ishte më i mirë për të.
Carlos Tevez kaloi katër sezone te City, regjistroi 148 paraqitje, 73 gola dhe 33 asistime, dhe fitoi nga një trofe në Premier League dhe FA Cup. Megjithatë, ish sulmuesi flet shumë emocionalisht për periudhën e kaluar në "Old Trafford".
"Para se të vija me huazim, njerëzit nga Manchester United biseduan me mua dhe më thanë se pas një viti do të blinin kontratën. Pas përfundimit të sezonit, Fergi më tha: 'Carlos, do të qëndrosh te United. Tani duhet të paguajmë për ardhjen e Berbatov, por mos u shqetëso, do të rregullojmë edhe kontratën tënde, do të të blejmë', kujtoi Tevez bisedën me trajnerin Alex Ferguson.
Pas kësaj, ekipi shkoi në përgatitje, dhe kur filloi sezoni, argjentinasi po merrte gjithnjë e më pak kohë loje.
"Mendoj se Ferguson kishte gjashtë muaj nga dita kur biseduam për të përmbushur premtimin e tij. Por ai nuk e bëri. Përkundrazi, filloi të më linte në stol. Kisha përshtypjen se qëllimisht më lë jashtë për të ulur çmimin. Kjo më lëndoi më së shumti."
Tevez ishte i zhgënjyer nga reagimi i tifozëve që u kthyen kundër tij.
"Njerëzit nuk e kuptonin situatën, nuk dinin për atë bisedë me Fergi ose çfarë po ndodhte pas skenave. Më ishte vështirë, sepse ndjeja që i dhashë zemrën United, por nuk mora të njëjtën gjë në këmbim. Fitonim Ligën e Kampionëve, kampionatin, dhe pastaj, vetëm për të ulur çmimin tim, sollën një sulmues tjetër. Vazhdova të punoj si më parë gjatë sezonit të parë, por me kalimin e kohës, nuk doja më të kisha asnjë lidhje me ta", pranoi Tevez.
Foto/ Depositphotos



