Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovizion vitin e ardhshëm

Holanda nuk do të marrë pjesë në Zgjedhjen e këngës së Eurovizionit në vitin 2027. Shërbimi publik holandez, NPO, vendosi të tërheqë pjesëmarrjen e tij pasi disa transmetues dhe punonjës shprehën kundërshtime. Nga NPO thanë se aktualisht nuk ka mbështetje të mjaftueshme për rikthimin në garë.
Jet de Ranitz, kryetare e Bordit Drejtues të NPO, shpjegoi se janë zhvilluar biseda me transmetuesit, por nuk u gjet një zgjidhje që do t'i kënaqte të gjithë. Edhe pse në fillim dukej se kishte mbështetje për pjesëmarrje, në fund u tregua se nuk ishte kështu.
"Për këtë arsye, kemi arritur në përfundimin se është ende herët për rikthimin në Eurovizion në vitin 2027. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e temave të diskutimit, mendojmë se është më mirë të heqim dorë nga pjesëmarrja për tani", deklaroi De Ranitz, sipas mediave holandeze RTL.
Vendimi erdhi si një surprizë, pasi në fund të shtatorit NPO njoftoi se Holanda do të rikthehej në Eurovizion pas një pauze njëvjeçare. Ndryshimi ndodhi pasi transmetuesi AVROTROS – i cili për vite me radhë ishte përgjegjës për pjesëmarrjen e Holandës në Eurovizion – në fund të gushtit ia kaloi organizimin NPO-së (Shërbimi Publik Holandez).
AVROTROS ishte kundër rikthimit në garë, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit dhe luftës në Gaza. Megjithatë, pavarësisht këtyre kundërshtimeve, NPO fillimisht vendosi të regjistrojë Holandën, duke besuar se Eurovizioni mund të shërbejë si një mundësi për të lidhur njerëzit përmes muzikës.
Sidoqoftë, pas bisedave të mëtejshme me transmetuesit, ky vendim u ndryshua.
Drejtori i programit të NPO-së, Jure Bosman, tha se kupton pse pjesëmarrja e Izraelit shkakton debate dhe ndarje. "Dëshirojmë të dërgojmë artistë dhe ekipet e tyre në Eurovizion vetëm nëse ata kanë mbështetje të fortë nga të paktën një transmetues. Vetëm kështu ata mund të përfaqësojnë me dinjitet vlerat e muzikës, kulturës, diversitetit dhe bashkësisë", tha ai.
Ai theksoi se përgjegjësia për pjesëmarrjen nuk mund të bjerë vetëm mbi artistët. "Duhet ta marrim këtë përgjegjësi së bashku. Prandaj, pas bisedave me Këshillin e transmetuesve, vendosëm që Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovizion në vitin 2027", shtoi ai.
Edhe pse nuk do të dërgojë përfaqësuesin e vet, Holanda do të vazhdojë të transmetojë garën e këngës së Eurovizionit. Ashtu si më parë, për transmetimin televiziv do të jetë përgjegjës NOS.



