Levica kërkon që Maqedonia të mbështesë rezolutën vjetore të OKB-së për Kubën

Levica i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën që kërkon heqjen e embargos amerikane ndaj Kubës, e cila është caktuar për 28 tetor 2026, të votojë "për" miratimin e saj.
"Apelin e bëjmë sepse në tetor të vitit të kaluar, MPJ-ja e udhëhequr nga Timço Mucunski për herë të parë në historinë e diplomacisë maqedonase votoi kundër së bashku me edhe gjashtë vende (SHBA, Izrael, Paraguai, Argjentinë, Hungari dhe Ukrainë) me çka Republika e Maqedonisë u izolua në skenën politike botërore. Deri në këtë precedent të pabesueshëm të diplomacisë së shkurtpamshme të VMRO-së, Republika e Maqedonisë kishte votuar në mënyrë të qëndrueshme për përfundimin e sanksioneve ndaj Kubës që nga fillimi i viteve 90, kur Asambleja e Përgjithshme filloi të miratonte këtë rezolutë vjetore, dhe këtë e bënte si pjesë e procesit të stabilizimit dhe asociimit së bashku me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Diplomati kryesor, i cili ndër të tjera përpiqet të japë përshtypjen e mbështetësit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në BE, bën pikërisht të kundërtën kur udhëzon përfaqësuesit tanë në OKB të votojnë kundër vetë organizatës në të cilën përpiqet ta anëtarësojë shtetin", thonë nga Levica,
Partia thotë se Kuba që nga fillimi i administratës së Trump-it përballet me një krizë serioze humanitare të nxitur nga embargoja brutale e vendosur nga SHBA – mungesë e mallrave elementare, energjisë elektrike, karburantit, ujit, ushqimit dhe rritje e vdekshmërisë. Me vendosjen automatike në anën e SHBA-së dhe Izraelit, të cilat deri në vitin 2024 ishin vendet e vetme që votuan kundër kësaj Rezolute, thonë nga Levica, Republika e Maqedonisë përsëri vendoset në anën e kriminelëve dhe grabitqarëve të cilëve asgjë nuk u është e shenjtë.
"Prandaj votimi i paralajmëruar nuk duhet të jetë një përsëritje mekanike e pozicioneve politike të të tjerëve. Maqedonisë i duhen aleatë, kredibilitet ndërkombëtar dhe diplomaci me parime, jo braktisje e pozicioneve të vendosura. Politika e jashtme maqedonase duhet të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe parimet ndërkombëtare, në vend që çdo vendim të përshtatet automatikisht me pozicionet e SHBA-së. Votimi i paralajmëruar do të jetë mundësi për të dëshmuar se Republika e Maqedonisë ndjek kursin e saj tradicional diplomatik dhe ndërpret praktikën e servilizmit dhe nënshtrimit ndaj banditëve dhe mashtruesve botërorë", thonë nga Levica.



