Hulumtim: 76.8 përqind e pilotëve në Evropë kanë fjetur gjatë fluturimit

Pilotët e lodhur paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për sigurinë e aviacionit evropian, pohon sindikata gjermane e pilotëve „Vereinigung Cockpit“ (VC), duke u thirrur në një studim të fundit.
Në hulumtimin e fundit, tre nga katër pilotë, 76.8%, deklaruan se kanë përjetuar të paktën një rast të "mikrogjumit" (humbje të përkohshme të vetëdijes që zgjat disa sekonda) gjatë fluturimit në katër javët e fundit, njoftoi sindikata VC. Më tej, 36.8% e të anketuarve thanë se nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për pushim për të parandaluar grumbullimin e lodhjes.
Studimi, i kryer për Asociacionin Evropian të Pilotëve (ECA) nga kompania konsulente „Baines Simmons“, ka rëndësi të madhe për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve. Në total morën pjesë 7,200 pilotë, shpjegoi Anja Granfogl, anëtare e bordit drejtues të sindikatës VC, përgjegjëse për sigurinë.
"Pilotët janë thellësisht të shqetësuar për problemin e lodhjes dhe mendojnë se është e nevojshme një reagim urgjent", tha ajo.
Studimi gjithashtu zbuloi mangësi të konsiderueshme në kulturën e raportimit të shenjave të lidhura me lodhjen që ndikojnë në sigurinë.
Vetëm 37.2% e pjesëmarrësve deklaruan se raportojnë me të vërtetë kur nuk janë në gjendje të fluturojnë për shkak të lodhjes. Afërsisht një e katërta, ose 24.2% e të anketuarve, thanë se kanë vazhduar të fluturojnë pavarësisht lodhjes, pa e raportuar atë, për shkak të frikës nga sanksionet ose hakmarrja nga ana e menaxhmentit.
Sindikata VC bëri thirrje për marrjen e masave si përgjigje ndaj këtyre gjetjeve, të cilat janë të ngjashme me rezultatet e studimit të mëparshëm të kryer para tre vjetësh.
"Siguria e fluturimeve nuk duhet të varet nga presionet ekonomike me të cilat përballen kompanitë ajrore, as nga guximi i pilotëve individualë", theksoi Granfogl.
"Kompanitë ajrore duhet të përmbushin detyrimet e tyre, ndërsa organet rregullatore duhet të mbikëqyrin më rreptësisht zbatimin e rregulloreve ekzistuese dhe të mbyllin të gjitha boshllëqet ligjore", shtoi ajo.



