(Video) Pamje dramatike nga përplasja e dy avionëve ushtarakë në ajër – vdiqën të katër pilotët

Dy avionë të forcave ajrore filipinase u përplasën gjatë një fluturimi stërvitor dhe u rrëzuan në një bazë ushtarake ajrore në jug të Manilës. Të katër pilotët humbën jetën në aksident, njoftuan autoritetet filipinase.
Të dy avionët "SF-260" u përplasën dje pasdite gjatë një fluturimi në lartësi të ulët, dhe më pas u rrëzuan në bazën ajrore "Fernando", në qytetin Lipa, në provincën bregdetare Batangas, në jug të kryeqytetit Manila.
Në aksident nuk pati persona të lënduar në tokë, njoftuan përfaqësues zyrtarë.
Forcat ajrore filipinase nuk dhanë detaje për shkaqet e aksidentit, të cilin e përshkruan si një ngjarje fatkeqe. Dy zyrtarë filipinas të njohur me ngjarjen thanë se avionët u përplasën në ajër. Ata folën në kushte anonimiteti, pasi nuk kishin autorizim të komentojnë publikisht për rastin.
Sipas një dëshmitari që foli për Associated Press, një nga dy avionët me dy vende u rrëzua pranë një kazermë ku qëndrojnë ushtarë brenda bazës ajrore.
Pas aksidentit, forcat ajrore filipinase kanë ndaluar përkohësisht të gjithë avionët e mbetur të tipit "SF-260", të prodhuar në Itali, derisa të përfundojë hetimi. Nuk është bërë e ditur sa avionë të tillë janë ende në përdorim.
Seri aksidentesh me të njëjtin tip avionësh
Kjo nuk është aksidenti i parë me avionin "SF-260" në Filipine. Në maj të këtij viti, një avion i tillë u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor navigimi në provincën malore Benguet, në veri të vendit. Ai fluturonte së bashku me disa avionë të tjerë të të njëjtit tip, dhe në aksident humbën jetën të dy pilotët.
Në vitin 2023, një tjetër avion "SF-260" u rrëzua në një fushë orizi në provincën Bataan, në veri-perëndim të Manilës, gjatë një fluturimi stërvitor. Edhe atëherë vdiqën të dy anëtarët e ekuipazhit.
Aksidenti më i fundit ndodh në një periudhë kur ushtria filipinase përballet prej vitesh me mungesë fondesh për modernizimin e pajisjeve të saj.
Për shkak të kufizimeve buxhetore, vendi ka vështirësi në rinovimin e forcave ajrore, marinës dhe ushtrisë tokësore. Në të njëjtën kohë, Filipinet përballen me lëvizje të gjatë komuniste dhe myslimane kryengritëse, si dhe me mosmarrëveshje gjithnjë e më të theksuara territoriale me Pekinin në Detin e Kinës Jugore.



