(Video) Tajfuni Champi goditi Tajvanin, gati 530 të lënduar dhe një i vdekur, në Kinë evakuar mbi 414.000 persona

Era të forta dhe valë shkaktuan dëme të mëdha materiale në Tajvan, ku u rrëzuan rreth 2.200 pemë dhe u dëmtuan më shumë se 700 objekte. Në Kinë, për shkak të motit të keq, u evakuan qindra mijëra njerëz, dhe u anuluan edhe shumë fluturime.
Tajfuni Champi, i cili përkohësisht arriti intensitetin e një supertajfuni, goditi Tajvanin dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, ku gati 530 persona u lënduan, ndërsa një person humbi jetën, njoftuan autoritetet.
Sipas raporteve, një burrë vdiq të enjten pasi valët e tërhoqën në det në pjesën jugore të ishullit.
Moti i keq la pasoja serioze në zonat e prekura. Autoritetet raportuan rreth 2.200 pemë të rrëzuara dhe më shumë se 700 objekte të dëmtuara. Për shkak të erërave të forta, më shumë se 280.000 familje mbetën përkohësisht pa energji elektrike.
Agjencia meteorologjike e Tajvanit regjistroi erëra të vazhdueshme me shpejtësi deri në 126 kilometra në orë pranë qendrës së stuhisë, ndërsa goditjet arrinin deri në 162 kilometra në orë.
Champi që nga atëherë është dobësuar, por pasojat e motit të keq vazhduan të ndihen edhe në Kinë.
Mbi 414.000 persona evakuar në Kinë
Më shumë se 414.000 persona u evakuan për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të dendura që kapluan pjesët lindore bregdetare të Kinës.
Për shkak të motit të keq u anuluan mbi 100 fluturime, dhe u regjistruan shqetësime në trafikun ajror edhe në aeroportet e Shangait, si dhe në provincat Fujian dhe Zhejiang.
Kompanisë ajrore "China Eastern Airlines" i është njoftuar anulimi i 39 fluturimeve të brendshme nga dhe drejt dy aeroporteve kryesore në Shanghai. Probleme pati edhe në linjat drejt dhe nga qytetet Fuzhou dhe Wenzhou.
Në zonat e prekura shkollat u mbyllën, dhe qytetarët u ftuan të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Sipas parashikimeve, Champi pritej të lëvizte drejt veriut deri të dielën dhe të kalonte pranë provincës bregdetare kineze Zhejiang.



