Dorëheqje në projektin amerikan të gazit në Alaskë pas akuzave se Novatek rus e financon fshehtas

Gati e gjithë drejtoria e "Polar Train LNG" është larguar nga projekti për ndërtimin e terminalit për eksportin e gazit natyror të lëngshëm, pas akuzave se gjiganti energjetik rus "Novatek" e financon fshehtas dhe ndikon në menaxhimin e tij. Ish-drejtori ekzekutiv Joel Riddle paralajmëroi për shkelje të mundshme të sanksioneve amerikane, raportoi "Financial Times".
Projekti për ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm në veri të Alaskës, me vlerë 25 miliardë dollarë, po përballet me probleme serioze pas largimit të disa zyrtarëve të lartë dhe akuzave për përfshirjen e "Novatek"-ut rus, i cili ndodhet nën sanksionet amerikane.
"Polar Train LNG" nisi projektin në mars, me planin për të shfrytëzuar dhe transferuar në Alaskë një terminal pjesërisht të ndërtuar të "Novatek"-ut rus. Kompania kërkoi leje nga Ministria amerikane e Financave për negociata me grupin rus, por ende nuk ka marrë miratim.
Ish-drejtori ekzekutiv Joel Riddle pretendon se zbuloi se "Novatek" filloi të financojë projektin dhe të ndikojë drejtpërdrejt në menaxhimin e tij para se të merreshin lejet e nevojshme. Në shtator dha dorëheqjen, dhe pak më vonë kompania u braktis edhe nga drejtori financiar Dan Chandra dhe drejtues të tjerë të lartë.
"Unë dhashë dorëheqje nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv të 'Polar LNG' sepse për mua ishte e papranueshme që kompania ruse 'Novatek' të financonte projektin dhe në fakt të përcaktonte drejtimin strategjik të kompanisë", deklaroi Riddle.
Fillimisht ai besonte se projektin e financonin investitori Gentry Beach, i lidhur me familjen Trump, dhe kompania "Tech Wave" nga Abu Dabi.
Sipas Riddle, më vonë zbuloi se Beach nuk kishte investuar aspak në projekt dhe nuk ishte as aksionar as anëtar i bordit.



