(Video) Skandal në Bullgari: Siguria rrëzon gazetarën në tokë, kërkohet dorëheqja e kryetares së parlamentit

Anëtar i sigurisë së kryetares së parlamentit bullgar, Mihaela Docova, është arrestuar kur në Sofje shtyu fort gazetaren Sonja Koltuklieva, e cila ra në trotuar dhe u lëndua në shpatull.
Ngjarja ndodhi mbrëmë para selisë së partisë "Bullgaria Progresive" në Sofje. Videoja shkaktoi reagime të ashpra politike dhe kërkesa për dorëheqjen e kryetares së parlamentit, transmeton agjencia shtetërore bullgare e lajmeve BTA.
Pas incidentit, Koltuklieva u kontrollua në Akademinë Ushtarake Mjekësore, ku sipas fjalëve të saj i u konstatua një frakturë në shpatull.
Pas dëshmisë para prokurorisë ushtarake, ajo deklaroi se kundër anëtarit të sigurisë është nisur procedurë penale. Zyrtari i Shërbimit Kombëtar të Sigurisë (NSO) më pas u nxorr nga ndërtesa e prokurorisë me pranga në duar.
Në videon që u përhap në rrjetet sociale shihet se gazetarja i afrohet makinës zyrtare ku hyri kryetarja e parlamentit dhe hap derën për t’i bërë një pyetje.
Në atë moment i afrohet një anëtar i sigurisë, e shtyn dhe e rrëzon në tokë, pas së cilës kolona e automjeteve largohet nga vendi.
Koltuklieva shpjegoi se kishte tentuar t’i pyesë Docovën pse dështuan seancat lidhur me rastin e faljes së një personi të njohur me nofkën "Eskobari i Petrichit".
Ajo tha se pasi dera e makinës u mbyll, e hapi përsëri, duke mbajtur telefonin celular lart në dorë.
"Dhe në momentin tjetër një burrë, qartë anëtar i sigurisë, u përplas dhe më goditi në shpatull", rrëfeu gazetarja.
Ajo shtoi se gjatë kontrollit mjekësor i janë bërë gjashtë rëntgenë në pjesë të ndryshme të trupit.
Docova më vonë u paraqit para prokurorisë ushtarake, ku tentoi të bisedojë me gazetarën e lënduar.
Ajo deklaroi se nuk pa çfarë ndodhi pasi makina e saj u largua dhe se anëtarët e sigurisë veprojnë sipas rregullave zyrtare mbi të cilat ajo nuk ka ndikim.
"Si njeri dhe si grua shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ndodhi", tha Docova.
Ajo shtoi se hapja e derës së makinës zyrtare e frikësoi shumë dhe njoftoi se do të kërkojë një hetim të plotë për incidentin.
Gazetarja nuk pranoi shpjegimin e saj. Para gazetarëve deklaroi se i tha kryetares së parlamentit të largohej, sepse nuk e konsideron faljen e saj të sinqertë.
"I thashë të largohet, se asgjë nga ajo që thotë nuk është e sinqertë dhe se po përpiqen mua, viktimën, të më paraqesin si fajtoren", tha Koltuklieva.
Shërbimi Kombëtar i Sigurisë urdhëroi një kontroll urgjent të veprimeve të punonjësve të tij.
Shërbimi njoftoi se do të marrë masa më të rrepta nëse konstatohet se veprimet e sigurisë nuk ishin proporcionale me rrethanat.
Njëkohësisht, ata kujtuan se ligji parashikon mbrojtjen e personave që sigurojnë dhe se përpjekjet për të rrezikuar sigurinë e tyre kërkojnë reagim të duhur. Për rastin është kompetente prokuroria ushtarake.
Videoja e incidentit shkaktoi reagime në partitë politike bullgare, përfshirë kërkesa për dorëheqjen e kryetares së parlamentit.
Opozita GERB-SDS dhe DPS kërkuan tërheqjen e saj, ndërsa presidentja bullgare Iliana Jotova dënoi veprimet e sigurisë dhe bëri thirrje për përcaktimin e përgjegjësisë për incidentin.



