E premte, 23 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Bullgaria zgjedh president, në fokus siguria dhe marrëdhëniet me Rusinë

23.10.2026, 09:48

Qytetarët bullgarë të dielën, më 25 tetor, do të votojnë në zgjedhjet presidenciale ku në fokus janë çështjet e sigurisë, pas një serie sulmesh me dronë mbi anije tregtare në Detin e Zi, me të cilat lufta në Ukrainë u afrua pranë bregut bullgar, transmeton agjencia AFP.

Në javët e fundit janë goditur katër anije në ujërat e zonës ekskluzive ekonomike bullgare. Dy prej tyre janë fundosur, dhe 21 marinarë konsiderohen të zhdukur. Kryeministri Rumen Radev, i cili mbështet dialogun me Moskën, më 13 tetor ftoi ambasadoren ruse për një bisedë.

Edhe pse qeveria bullgare mendon se sulmet shërbejnë interesave të Rusisë, thekson se deri tani nuk ka prova mbi bazën e të cilave përgjegjësia formalisht t’i atribuhet asaj.

Sipas sondazhit të agjencisë "Market Links", të publikuar të mërkurën, presidentja aktuale Ilijana Jotova ka mbështetje prej 47.3 për qind nga të anketuarit që kanë ndërmend të votojnë, ndërsa kundërshtari i saj kryesor, Andrej Gjurov, i mbështetur nga opozita pro-perëndimore, ka 30.6 për qind.

Jotova, ish-gazetare dhe anëtare e shquar e Partisë Socialiste, në janar e zëvendësoi Radevin, i cili dha dorëheqje nga posti presidencial për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, pas të cilave u bë kryeministër.

Në zgjedhje marrin pjesë 27 kandidatë, dhe pjesëmarrja mund të mbetet nën 40 për qind. Nëse fiton në raundin e dytë, i parashikuar për 1 nëntor, Jotova do të bëhet gruaja e parë e zgjedhur presidente e Bullgarisë.

Bullgaria mbetet thellësisht e ndarë rreth marrëdhënieve me Moskën. Jotova mbështet negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës dhe kritikon vazhdimin e ndihmës ushtarake për Kievin, pa vënë në dyshim anëtarësimin e Bullgarisë në BE dhe NATO.

"Nuk na duhet Koalicioni i të gatshmëve për Ukrainën, por Koalicioni për paqen në Ukrainë", deklaroi ajo në një tubim parazgjedhor, duke paralajmëruar se dëshiron të jetë "presidente e paqes".

Kundërshtari i saj Andrej Gjurov, ish-zëvendës guvernator i Bankës Popullore Bullgare dhe ish-kryeministër në detyrë, përfaqëson një orientim të fortë euroatlantik.

"Diplomacia është e nevojshme, por nuk mund të zëvendësojë as frenimin as aleancat", tha Gjurov, duke kritikuar politikën e jashtme të Radevit.

Kryeministri bullgar në qershor ndaloi dërgesat e armëve nga rezervat e ushtrisë bullgare për Ukrainën, dhe më pas njoftoi tërheqjen e Sofjes nga Koalicioni i të gatshmëve. Megjithatë, industria ushtarake bullgare vazhdon të furnizojë Ukrainën.

Edhe pse presidenti i Bullgarisë ka kryesisht një rol përfaqësues, ai ka të drejtën e vetos mbi ligjet dhe është komandanti suprem i forcave të armatosura.

Zëvendësdrejtoresha e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), Vesela Cherneva, mendon se zgjedhjet janë të rëndësishme sepse presidenti simbolizon unitetin kombëtar dhe orientimin strategjik të shtetit.

Lajme të ngjashme