E martë, 20 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Prioritetet strategjike në energjetikë dhe miniera në fokus të takimit të Bozhinovskës me Azeskin

20.10.2026, 15:05

Ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, ku u diskutua për zbatimin e Strategjisë për minierat, përgatitjen e Strategjisë së re për energjetikë dhe përmirësimin e legjislacionit në fushat nën kompetencën e Ministrisë.

Në fokus të bisedimeve ishte Strategjia për minierat dhe zbatimi i saj, për të cilën kryetari Azeski konfirmoi mbështetjen e Dhomës së Tregtisë dhe komunitetit të biznesit. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe biznesit për realizimin e vendimeve strategjike dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit minier.

"Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përgatitjes së Strategjisë së re për energjetikë në nivel shtetëror. Dhoma e Tregtisë shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në këtë proces, së bashku me organizatat ndërkombëtare partnere. Në këtë kontekst, u theksua nevoja që udhëzimet strategjike në energjetikë të përgjigjen ndaj trendeve të reja, ndryshimeve teknologjike dhe nevojave aktuale të biznesit, me qëllim krijimin e një sistemi funksional që do të mbështesë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shtetit", njoftuan nga Ministria.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e zhvillimit të industrisë automobilistike, me theks të veçantë në reduktimin e emetimeve të gazrave të dëmshëm dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ministrja Bozhinovska theksoi se mosha mesatare e automjeteve në shtet është rreth 20 vjet, ndërsa numri i automjeteve elektrike dhe infrastruktura për mbështetjen e tyre janë të kufizuara. Gjithashtu, u hap çështja për nevojën e përshtatjes graduale me standardet moderne evropiane për emetimet dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e mobilitetit elektrik.

"Biseduesit konfirmuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit edhe në përmirësimin e legjislacionit për partneritetin publik-privat dhe koncesionet, fusha ku kontributi i komunitetit të biznesit është i rëndësishëm për krijimin e zgjidhjeve funksionale dhe të zbatueshme. Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale vazhdon të përmirësojë bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe biznesin, me qëllim zbatimin e përkushtuar të dokumenteve strategjike, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm", njoftuan nga Ministria.

Lajme të ngjashme