Britania e Madhe dërgon avionë luftarakë në Lindjen e Mesme

Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë avionë luftarakë "Typhoon" në Arabinë Saudite për të mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën kritike nga sulmet me raketa dhe dronë nga rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani.
Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi sot se avionët e Forcave Mbretërore Ajrore (RAF) do të kryejnë misione mbrojtëse brenda hapësirës ajrore saudite, por nuk do të kryejnë sulme ndaj pozicioneve të Huthive në Jemen.
Londra gjithashtu do të dërgojë një avion transporti ushtarak A400M në Arabinë Saudite, së bashku me këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar oficerët sauditë. Kjo vendim shënon zgjerimin e ndihmës ushtarake britanike për Riadin, pas intensifikimit të sulmeve të Huthive ndaj impianteve të naftës, aeroporteve dhe infrastrukturës tjetër në javët e fundit, raporton CNN.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, dënoi sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke theksuar veçanërisht sulmin ndaj aeroportit ndërkombëtar në Riad.
"Sulmet e vazhdueshme të Huthive ndaj aleatit tonë, Arabisë Saudite, janë absolutisht të neveritshme. Sulmi ndaj aeroportit në Riad, veçanërisht, tregon deri ku janë të gatshëm Huthit të shkojnë në eskalimin e situatës në rajon", deklaroi Streeting.
Ai shtoi se pikërisht për shkak se këto sulme kanë vazhduar, ka miratuar mbështetje shtesë ushtarake për Arabinë Saudite. Ai theksoi se avionët britanikë do të ndihmojnë në mbrojtjen e hapësirës ajrore saudite nga raketat dhe dronët, duke shtuar pajisje dhe personel britanik që tashmë janë në vend.
Që në shtator, Britania e Madhe kishte rënë dakord të dërgonte një avion RAF Voyager për furnizim me karburant në fluturim të avionëve luftarakë sauditë. Ky mision tani do të vazhdojë për 90 ditë shtesë, ndërsa "Typhoon" do të marrin pjesë drejtpërdrejt në mbrojtjen e hapësirës ajrore saudite për herë të parë si pjesë e operacionit të zgjeruar.



