Zelenski te Trump: Na jepni raketa nëse nuk mund ta ndaloni Putinin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski mendon se Ukraina dhe SHBA kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa SHBA dhe Rusia, dhe deklaroi se Kievi dëshiron të mbajë marrëdhënie të hapura, pragmatike dhe të sinqerta me Uashingtonin, transmeton „Pravda“.
Në një intervistë për gazetën italiane „Corriere della Sera“, Zelenski shpjegoi pikëpamjen e tij mbi marrëdhëniet me SHBA:
„Ne gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të rëndësishme dhe të forta strategjike me Shtetet e Bashkuara. Bashkëpunimi ynë bilateral u bë veçanërisht aktiv gjatë luftës me përmasa të plota.
Jam mirënjohës për gjithë mbështetjen. Megjithatë, marrëdhëniet tona gjithmonë i kemi ndërtuar mbi bazën e sinqeritetit, drejtësisë dhe, më e rëndësishmja, transparencës. Është e dhimbshme të gënjesh kur populli yt është në luftë. Prandaj kurrë nuk kam dashur të fsheh asgjë nga presidenti amerikan, as nuk e kam gënjyer ndonjëherë.
Në çdo rast, ne kemi më shumë gjëra të përbashkëta sesa Amerika me Rusinë. Shumica e njerëzve në Ukrainë dhe në SHBA e kuptojnë këtë. Do të donim të mbanim marrëdhënie të hapura, të sinqerta dhe pragmatike me Amerikën siç kemi sot“, tha Zelenski.
Presidenti ukrainas shtoi se vendi i tij angazhohet për një ndalim të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Nëse Rusia nuk e pranon këtë, ai propozon që partnerët të sigurojnë sisteme të mjaftueshme mbrojtjeje kundër ajrit për të mbrojtur objektet ukrainase.
„Qëndrimi është shumë i thjeshtë. Ne angazhohemi për një ndalim të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Ideja është që ne të heqim dorë nga sulmet hakmarrëse ndaj objekteve energjetike ruse pasi ata sulmojnë infrastrukturën tonë të gazit, energjisë elektrike ose naftës – ose çfarëdo tjetër. Rusët sulmojnë, dhe Amerika nuk mund t’i ndalojë. Le të supozojmë se Amerika me të vërtetë dëshiron, por thjesht nuk mundet.
Në këtë rast, si partner, jam i gatshëm t’i vij në ndihmë presidentit Trump: nëse na sulmojnë, dhe ne nuk mund të kundërpërgjigjemi, që nuk është as e drejtë, as e ndershme, por juve ju nevojitet kjo sepse nuk mund ta ndaloni Putinin, atëherë na siguroni raketa interceptuese që të mund të mbrojmë infrastrukturën tonë energjetike. Ndoshta nuk arritët ta ndaloni Putinin, por do t’i ndihmoni Ukrainës“, deklaroi Zelenski.
Këto deklarata vijnë pas një periudhe tensionesh të fundit. Të dielën, Zelenski e akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet para Rusisë dhe se po vonon dorëzimin e raketave interceptuese për sistemin „Patriot“.
Trump iu përgjigj duke e akuzuar Zelenskin se kurrë nuk ka dashur vërtet të përfundojë luftën. Një ditë më vonë, dje, Trump deklaroi se është i gatshëm të takohet me Vladimir Putinin dhe Xi Jinping për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë – madje edhe pa pjesëmarrjen e Zelenskit.



