Bozhinovska në takim me përfaqësues të BERZH: Përpjekjet për një sistem energjetik të qëndrueshëm të njohura si kusht për prosperitetin e shtetit

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot zhvilloi një takim pune me përfaqësues nga Bordi Drejtues i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që janë në vizitë në vendin tonë.
Brenda delegacionit të BERZH, i përbërë nga drejtorë përgjegjës për rajone të ndryshme, ishin të pranishëm Rene van Hel, drejtor për Holandën, Kinën, Maqedoninë e Veriut, Armeninë dhe Mongolinë, më pas Fatih Turkmenoglu, përfaqësues i BERZH për vendin tonë, si dhe drejtorët për vendet e tjera të rajonit dhe botës.
Gjatë takimit, ministrja Bozhinovska prezantoi aktivitetet e Ministrisë për forcimin e sistemit energjetik vendas, infrastrukturën energjetike dhe përshpejtimin e proceseve reformuese në vend. Në këtë drejtim, u prezantuan zgjidhjet konkrete ligjore në të cilat aktualisht po punon Ministria, të cilat janë të orientuara drejt realizimit të qëllimeve strategjike të shtetit në sektorin energjetik.
Përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përgëzuan përpjekjet e Ministrisë për krijimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, duke i vlerësuar si shumë më të avancuara në krahasim me disa vende të rajonit, të cilave u duhen dekada për realizimin e hapave konkretë në energjetikë.

Fokusi i bisedimeve në takimin e sotëm ishte shfrytëzimi i potencialit të burimeve të rinovueshme të energjisë (BRE) në vend, si dhe mundësitë për ruajtjen e energjisë nga burimet e rinovueshme. U diskutua për forcimin e infrastrukturës rrjetë për shkak të integrimit të kapaciteteve të reja nga BRE, që njëkohësisht është prioritet edhe në koordinim me MEPSE. U theksua rëndësia e diversifikimit të prodhimit nga BRE, i cili është në krye të agjendës së BE-së.
Ministrja Bozhinovska theksoi se ekziston interes i madh tek qytetarët dhe kompanitë për përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe se Ministria do të punojë në këtë plan në të ardhmen.
U diskutua edhe për miratimin e Ligjit për Partneritetin Publik-Privat, ku u theksua rëndësia e investimeve të reja në energjetikë, përfshirë edhe investimet private.
Nga temat e diskutuara, u shkëmbyen mendime edhe për mineralet kritike, si dhe për sistemet inteligjente të matjes (smart metrat), të cilat duhet të zëvendësohen në tetë vitet e ardhshme dhe aktet nënligjore në përputhje me Ligjin për përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në pjesën e Contracts for Difference (CfD).
Një pjesë e veçantë e bisedimeve iu kushtua lidhjes rajonale të vendit me fqinjët, për të cilën ministrja informoi për përparimin në lidhjen energjetike me Greqinë dhe Serbinë, duke theksuar se po punohet edhe në lidhje të reja rrjeti me vendet e rajonit.
Në takim u theksua rëndësia edhe e sigurisë kibernetike, si kusht për një sistem energjetik të sigurt, ku u përmend mundësia e bashkëpunimit të ndërsjellë në këtë fushë.

Ministrja Bozhinovska në takim konfirmoi përkushtim të fortë ndaj partneritetit me BERZH, si një nga partnerët kyç të shtetit tonë në përpjekjet për krijimin e një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme për vendin.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj qasjes partneriale dhe zbatimit të plotë të hapave reformues për rritjen e sigurisë energjetike që do të kontribuojnë në zhvillimin më të shpejtë të shtetit.



