Gashi u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Holandës: angazhim për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi zhvilloi një takim bilateral me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës, Tom Van Kampen, në Romë, në kuadër të konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.
Ai shfrytëzoi këtë mundësi për të shprehur falënderim për projektet e shumta përmes të cilave Mbretëria e Holandës kontribuon në zhvillimin demokratik dhe zbatimin e proceseve reformuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryetari Van Kampen informoi se në mandatet e mëparshme si deputet ka ushtruar funksionin e raportuesit në Komisionin për Çështje Evropiane për perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim, kryetari Gashi dha një pasqyrë më të gjerë mbi gjendjet lidhur me rrugën eurointegruese të shtetit, si dhe mbi sfidat potenciale që rrjedhin nga vonesa në procesin e zgjerimit. U konfirmua rëndësia strategjike e eurointegrimeve dhe efekti transformues që do të kishte hapja e negociatave të anëtarësimit mbi shoqërinë. Plani i rritjes dhe Agjenda Reformuese u vlerësuan si hapa pozitivë drejt avancimit të proceseve reformuese dhe afrimit të shtetit me Bashkimin Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ekzistojnë mundësi për avancimin e bashkëpunimit parlamentar bilateral, si në nivelin e deputetëve, ashtu edhe në nivelin e shërbimeve parlamentare, megjithëse në Parlamentin holandez nuk ekziston një grup miqësie, siç funksionon në Kuvend. Në fund u angazhuan për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në periudhën e ardhshme edhe përmes vizitave në nivel më të lartë.



