E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Sali: Maqedonia e Veriut angazhohet për përfshirje thelbësore të vendeve kandidate në Qendrën Evropiane për Rezistencë Demokratike

13.10.2026, 10:44

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, në mëngjesin e punës në margjinat e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, theksoi rëndësinë e përfshirjes së vendeve kandidate në Qendrën Evropiane për Rezistencë Demokratike që nga fillimi.

Në fjalimin e tij, ministri Sali theksoi se manipulimi i huaj me informacion, sulmet kibernetike dhe presionet ndaj mediave të pavarura dhe shoqërisë civile përbëjnë kërcënime të përbashkëta për vendet anëtare të BE-së dhe për vendet kandidate. Sipas tij, rezistenca demokratike është bërë pjesë thelbësore e sigurisë evropiane.

Pjesëmarrja në Qendër do t’i mundësonte Maqedonisë së Veriut qasje të hershme në vlerësimet evropiane të kërcënimeve, mekanizmat e paralajmërimit të hershëm, ekspertizën dhe rrjetet operative. Njëkohësisht, do të forconte kapacitetet për t’u përballur me dezinformatat, komunikimin strategjik dhe sigurinë kibernetike, si dhe mbështetjen për mediat e pavarura dhe shoqërinë civile, duke kontribuar në reformat në fushat themelore të procesit të anëtarësimit.

Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut ka qëllim të jetë jo vetëm përdoruese, por edhe kontribuese aktive, duke ndarë përvojën e saj në përballjen me kërcënimet hibride. Ai informoi se janë nisur përgatitjet e brendshme për pjesëmarrje thelbësore, se Ministria e Drejtësisë është caktuar si institucion koordinues dhe se janë emëruar pika kontakti për komunikim me Sekretariatin e Qendrës.

Në fund, Sali bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se përfshirja e hershme e vendeve kandidate në instrumentet evropiane e bën zgjerimin një kontribut konkret për sigurinë, demokracinë dhe unitetin e Evropës.

Lajme të ngjashme