Merç: Asnjë euro nga ndihma për Ukrainën nuk merret nga qytetarët tanë

Kancelari gjerman Friedrich Merç deklaroi sot në Bundestagun se ndihma për Ukrainën nuk shkon në kurriz të qytetarëve gjermanë dhe nuk e detyron shtetin të ulë shpenzimet për pensionet, mbrojtjen sociale apo arsimin.
Ai hodhi poshtë kritikat e partive opozitare që kërkojnë që fondet e dedikuara për Ukrainën të ridrejtohen për nevojat e brendshme, duke paralajmëruar se Rusia paraqet një kërcënim gjithnjë e më të madh për sigurinë e Gjermanisë dhe Evropës.
"Asnjë euro e dhënë për Ukrainën nuk ridrejtohet nga fondet e dedikuara për mbrojtjen sociale apo arsimin në vendin tonë. Nuk mungon asnjë euro", tha Merç duke iu drejtuar deputetëve në parlamentin gjerman.
Deklarata e tij ishte përgjigje ndaj kritikave të partive opozitare "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) dhe "E Majta" (Die Linke), të cilat pretendojnë se miliardat e eurove ndihmë për Ukrainën duhet të përdoren për pensionet gjermane, infrastrukturën dhe nevojat e tjera të brendshme.
Kancelari paralajmëroi se ndihma e vazhdueshme ushtarake dhe financiare gjermane për Ukrainën është jetike jo vetëm për Kievin, por edhe për sigurinë e Evropës.
"Po shohim se rritet gatishmëria e Rusisë për eskalim – ndaj Ukrainës, ndaj fqinjëve tanë në Evropën Lindore dhe ndaj vendit tonë", tha Merç.
Ai theksoi se kërcënimi rus nuk është vetëm teorik dhe se Gjermania duhet të vazhdojë t'i ndihmojë Ukrainës për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë evropiane.
Gjithashtu, ai nënvizoi se Gjermania ka ndryshuar rregullat kushtetuese për huamarrjen për të mundësuar shpenzime të rritura për mbrojtjen dhe sigurinë.
Sipas këtyre rregullave, disa shpenzime për mbrojtjen dhe sigurinë mund të financohen përmes huamarrjes shtesë, jashtë kufizimeve standarde për borxhin shtetëror.
foto/EPA



