Vatikani publikoi informacione për gjendjen shëndetësore të Papës

Papa Luan XIV po rikuperohet sipas pritshmërive pas operacionit, ai tashmë ka filluar të lëvizë nëpër dhomën e spitalit dhe të ushqehet normalisht, njoftoi sot Vatikani. Kreu i Kishës Katolike (71) dje iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqjen e një pjese të mushkërisë pasi iu diagnostikua një tumor malign, transmeton "Reuters".
Analizat e sotme të gjakut dhe rëntgeni i kraharorit treguan rezultate normale pas operacionit. Papa gjithashtu ka filluar me fizioterapi respiratore, dhe mjekët deri tani nuk kanë raportuar ndonjë komplikacion.
Atij iu diagnostikua adenokarcinomë e mushkërive, forma më e zakonshme e kancerit të mushkërive. Operacioni zgjati rreth 90 minuta dhe kaloi pa komplikacione, konfirmuan kirurgu kryesor i Papës, Stefano Margaritora, dhe mjeku i tij personal, Luigi Carbone.
Vatikani nuk ka zbuluar madhësinë e tumorit as nëse sëmundja është përhapur në nyjet limfatike përreth. Këto informacione janë kyçe për vlerësimin e stadit të sëmundjes dhe parashikimin e trajtimit.
Pritet që Papa të qëndrojë në spital rreth një javë, dhe të gjitha paraqitjet e tij publike janë anuluar deri më 20 tetor. Megjithatë, Vatikani për momentin nuk po ndryshon planet për udhëtimin e tij në Amerikën e Jugut.
Ai duhet të vizitojë Uruguajin, Argjentinën dhe Perun në periudhën nga 6 deri më 17 nëntor. Shërbimi i shtypit i Vatikanit deklaroi sot se "asgjë nuk është ndryshuar" lidhur me udhëtimin e planifikuar.
Diagnoza e kancerit të mushkërive ka shkaktuar shqetësim pasi Papa – i zgjedhur në maj 2025 – më parë ishte i njohur për shëndetin e mirë dhe mënyrën aktive të jetesës. Ai merret rregullisht me sport, përfshirë tenis. Nuk dihet që ai të ketë pirë duhan, dhe kohët e fundit nuk ka pasur probleme serioze shëndetësore.
Sëmundja e Papës gjithashtu ka ngritur pyetje për funksionimin e Kishës Katolike gjatë mungesës së tij. Papa është autoriteti më i lartë për rreth 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën dhe nuk ka një zëvendësues që automatikisht do të merrte kompetencat e tij në rast sëmundjeje.
Nëse Papa përkohësisht nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij, administrata e Vatikanit vazhdon të funksionojë normalisht, por vendimet që kërkojnë miratimin e tij personal duhet të presin rikuperimin e tij.



