Kovaçev: Maqedonia nuk ka për çfarë të ankohet, e informova edhe Von der Lajen për rastin me Iva Mihajllova

Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev konsideron se Maqedonia nuk ka bazë për t'u ankuar para institucioneve evropiane për shkak të largimit të Iva Mihajllovës në Bullgari, pavarësisht ndalimit gjyqësor për të mos e braktisur vendin. Ai pohon se Bullgaria nuk ka bërë asgjë të diskutueshme dhe se rasti ka vetëm karakter humanitar.
Gjatë një interviste në emisionin „Më shumë se dita“ në BNT, Kovaçev deklaroi se çështjen për Mihajllovën e ka hapur tashmë para kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
„Në takimin që sapo fillon në PPE në Itali, e informova edhe kryetaren e Komisionit, Ursula von der Leyen, për situatën. Besoj se Maqedonia nuk ka për çfarë të ankohet ndaj Bullgarisë. Çfarë ka bërë saktësisht Bullgaria që është problematike? Absolutisht asgjë. Sigurisht, e ngritëm problemin humanitar me Iva Mihajllovën në të gjitha nivelet“, tha Kovaçev.
Reagimi i tij vjen pas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë se rasti do të paraqitet para Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Për autoritetet maqedonase, problematike është fakti që Mihajllova e ka lënë vendin pavarësisht pasaportave të sekuestruara. Ministria konsideron se roli i institucioneve bullgare në rast ndikon negativisht në besimin reciprok dhe vë në pikëpyetje përpjekjet për fqinjësi të mirë.



