E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ambasadori bullgar në bisedime në MPJ: Rasti me Mihajlovën është ndërhyrje në sistemin juridik të Maqedonisë

13.10.2026, 13:38

Lidhur me ngjarjet që lidhen me Iva Mihajlovën, sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u thirr ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Zheljazko Radukov.

Ambasadorit iu përcoll se mënyra se si Iva Mihajlova u prit në Sofje, përfshirë edhe paralajmërimet për pritjen e saj në nivel të lartë, përbën provokim, dëmton përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me angazhimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Gjithashtu, u theksua se një veprim i tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të shtetit tonë dhe dërgon një mesazh shumë të gabuar në lidhje me respektimin e procedurave gjyqësore dhe parimin e barazisë para ligjit. Përkatësia kombëtare ose posedimi i një shtetësie tjetër nuk duhet të shërbejnë si bazë për mbrojtje nga përgjegjësia para institucioneve kompetente.

Në takim u theksua se nga Republika e Bullgarisë, si anëtare e Bashkimit Evropian, presim veprime në përputhje me parimet themelore evropiane – respektimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunim institucional dhe sundimin e ligjit.

Ambasadorit iu përcoll se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të ndërmarrë hapa të përshtatshëm për informimin e institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Në takim u theksua edhe një herë përkushtimi ynë për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në respekt të ndërsjellë, besim dhe parime evropiane, ku të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi presim edhe nga pala bullgare.

Lajme të ngjashme