Dy anije goditen nga dronë pranë Bullgarisë, Radev do ta thërrasë ambasadoren ruse për bisedë

Dy anije janë goditur nga dronë në ujërat pranë bregdetit bullgar të Detit të Zi, dhe një prej tyre është fundosur. Kryeministri, Rumen Radev, konfirmoi lajmin dhe deklaroi se ky është incidenti i dytë i këtij lloji gjatë javës së kaluar.
Anija "Chelsea 3", në pronësi të një kompanie ukrainase dhe që lundronte nën flamurin maltas, u godit nga tre dronë rreth orës 01:30 pas mesnatës. Sulmi ndodhi rreth 18 milje detare, ose 33 kilometra, nga bregu bullgar.
Ekipazhi përbëhej nga shtatë ukrainas dhe tetë azerbajxhanas. Të gjithë u shpëtuan, dhe pesë anëtarë të ekipazhit morën ndihmë mjekësore, por askush nuk u plagos seriozisht.
Për anijen e dytë, "Azov Concord" – për të cilën zyrtarët u informuan në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë – u konfirmua se është fundosur rreth 17 milje detare në lindje të Krapecit. Sipas informacioneve fillestare, është shpëtuar një anëtar i ekipazhit.
"Kjo është krejtësisht e papranueshme – një sulm tjetër në afërsi të ujërave territoriale bullgare", tha Radev në një fjalim televiziv. Ai njoftoi se ka ndërmend të diskutojë për incidentin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kryeministri theksoi se nuk ka prova të qarta për atë që kreu sulmin, por shtoi se rezultati i tij favorizon Federatën Ruse. Për shkak të këtij ngjarjeje, ai njoftoi se do ta thërrasë ambasadoren ruse Eleonora Mitrofanova për bisedë. Për incidentet janë informuar edhe përfaqësuesit e përhershëm të Bullgarisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Bullgaria nuk kufizohet me Ukrainën ose Rusinë, por si anëtare e NATO-s mban një pozicion strategjik në Detin e Zi, ku të dyja palët në konflikt kanë porte të rëndësishme. Rritet shqetësimi dhe frika nga sulme hibride të mundshme me dronë që Rusia po kryen paralelisht me luftën në Ukrainë.
foto/Depositphotos/ilustrim



