(Video) Zelenski: Goditëm dy rafineri ruse, njëra me dronë me rreze prej 2,500 kilometrash

Sipas të dhënave të reja nga autoritetet lokale, të paktën 35 persona kanë vdekur, ndërsa 24 janë plagosur në sulmet ruse të djeshme mbi rajonin lindor ukrainas Donetsk. Ndërkohë, Rusia raportoi katër viktima në rajonin e saj Belgorod, transmeton "Euronews".
"Më 8 tetor, rusët vranë 35 banorë të rajonit Donetsk: 32 në Kramatorsk dhe tre në Bilenke", njoftoi guvernatori rajonal Vadim Filashkin në "Telegram". Mëngjesin e djeshëm, forcat ruse goditën dy autobusë në Kramatorsk. Transporti publik në qytet u ndërpre më pas gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit.
Pas sulmit mbi Kramatorsk, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi dje se sulmi nuk do të mbetet pa përgjigje. "Rusia po përpiqet të shkatërrojë gjithë jetën në Donbas, dhe bota duhet të reagojë. Nevojitet një përgjigje e fortë – pikërisht ajo që rusët meritojnë për të gjitha vdekjet që kanë shkaktuar", shkroi ai në platformën "X".
Filashkin theksoi se Rusia gjatë 24 orëve të fundit ka granatuar më shumë se 30 herë pjesë të rajonit Donetsk, çka ka çuar në evakuimin e 379 personave. Guvernatori i bëri thirrje banorëve të mbetur që të largohen nga rajoni dhe të zhvendosen në zona më të sigurta të vendit.
"Forcat ukrainase kryen sulm mbi një rafineri ruse nafte në Omsk"
Zelenski sot njoftoi se forcat ukrainase kanë kryer një sulm mbi një rafineri ruse nafte në Omsk, si dhe mbi një objekt në Ukhta.
"Ishte një sulm tjetër mbi rafinerinë ruse të naftës në Omsk – një nga rafineritë kryesore – si dhe mbi rafinerinë në Ukhta, që ndodhet 1,900 kilometra larg kufirit shtetëror të Ukrainës. Objektivi në Ukhta u godit nga dronët An-196 RS, të cilët mund të fluturojnë rreth 2,500 kilometra, ndërsa ditën e mëparshme kundër rafinerisë në Omsk u përdorën dronët FP-6 (të modifikuar FP-1)", shkroi Zelenski.
"Ne vazhdojmë të përgjigjemi ndaj sulmeve ruse mbi Ukrainën, dhe e bëjmë këtë me saktësi të lartë. U godit edhe një qendër tjetër e të dhënave – përgjigje simetrike nga ana jonë. Ky është një tregues i rëndësishëm i saktësisë së luftëtarëve tanë. Lavdi Ukrainës!", shtoi Zelenski, duke publikuar pamje nga pasojat e sulmeve.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump më parë i bëri thirrje Kievit të ndalojë sulmet mbi rafineritë ruse. Ai pretendon se këto sulme shkaktojnë mungesa globale që "dëmtojnë botën".



