(Video) Projektil goditi terminalin e pasagjerëve në aeroportin e Riadit, ka të lënduar

Disa persona u lënduan sot në një shpërthim në aeroportin ndërkombëtar "Mbret Khalid" në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, pas së cilës pjesë të aeroportit u evakuan.
Sipas agjencisë AP, një projektil goditi terminalin e pasagjerëve, ndërsa dëshmitarët për Reuters thanë se dëgjuan një shpërthim dhe panë disa të lënduar që qëndronin brenda aeroportit. Në vendngjarje u dërguan më shumë se dhjetë ambulanca.
Autoritetet saudite deri tani nuk kanë dhënë numrin e saktë të të lënduarve, as dëmin material.
Pas sulmit, një numër i madh fluturimesh drejt Riadit u devijuan ose u anuluan. Sipas të dhënave të "Flightradar24", janë regjistruar dhjetëra fluturime të anuluara dhe vonesa të mëdha. "Kuwait Airways" anuloi fluturimet nga dhe për në Riad për shkak të situatës së sigurisë.
Kjo është sulmi i dytë ndaj të njëjtit aeroport brenda vetëm dy ditësh. Në sulmet e mëparshme humbën jetën tre shtetas sauditë, përfshirë një pilot, dhe u dëmtua një avion pasagjerësh. Përgjegjësinë për këto sulme e morën Houthit nga Jemeni, të cilët deri tani nuk janë deklaruar për incidentin e sotëm.
Sulmet ndodhin në kushte të përshkallëzimit të konfliktit në Jemen. Houthit, të cilët kanë mbështetje nga Irani, në javët e fundit kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj aeroporteve saudite, impianteve naftë dhe objektivave të tjera.
Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit ka paralajmëruar për rrezik të shtuar për fluturimet civile për shkak të sulmeve të shpeshta.



