Ambicia për përfshirjen e Prespës në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s duhet të përmirësojë mbrojtjen tashmë të premtuar, thonë nga Shoqëria Ekologjike Maqedonase

Pas takimit të ministrave të kulturës të Shqipërisë, Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut javën e kaluar në Prespë, Greqi, rrjeti ndërkufitar „PrespaNet“ përshëndet iniciativën për shqyrtimin e mundësisë së nominimit të përbashkët të rajonit ndërkufitar të Prespës si trashëgimi e përzier natyrore dhe kulturore e UNESCO-s. Kjo hap një mundësi të madhe për të rikthyer vëmendjen ndërkombëtare drejt këtij territori të përbashkët që ka një biodiversitet të jashtëzakonshëm, trashëgimi kulturore dhe tradita të gjalla, si dhe për të forcuar bashkëpunimin për të ardhmen e tij, thonë nga Shoqëria Ekologjike Maqedonase.
Njohja e Prespës si pjesë e trashëgimisë botërore mund të ketë përfitime të rëndësishme për rajonin dhe banorët e tij. Kjo mund të përmirësojë reputacionin ndërkombëtar të tij, të forcojë mbështetjen publike dhe politike për ruajtjen e liqeneve, florës dhe faunës, monumenteve dhe peizazheve kulturore, si dhe të ndihmojë në sigurimin e ekspertizës, partneriteteve dhe burimeve për mbrojtjen e tij. Nominimi i përbashkët mund të nxisë një qasje të përbashkët në kërkimin, monitorimin dhe menaxhimin në nivel ndërkufitar, ndërsa raportimi dhe mbikëqyrja ndërkombëtare mund të forcojnë përgjegjësinë për mbrojtjen e vlerave të këtij rajoni.
Për komunitetet lokale, njohja mund të krijojë mundësi për turizëm të menaxhuar me kujdes bazuar në trashëgiminë natyrore dhe kulturore, i mbështetur nga interpretimi dhe promovimi i përbashkët i trashëgimisë së rajonit. Kjo gjithashtu mund të forcojë krenarinë që rrjedh nga traditat e ndryshme në Prespë dhe të thellojë lidhjet midis komuniteteve të tre vendeve, njofton Shoqëria Ekologjike Maqedonase.
Po ashtu, procesi përgatitor mund të jetë po aq i rëndësishëm. Nëpërmjet mbledhjes së dëshmive për vlerat natyrore dhe kulturore, harmonizimit të prioriteteve për ruajtje dhe krijimit të një sistemi efektiv për menaxhim të përbashkët mund të ndërtohet besimi dhe të përmirësohet bashkëpunimi para se të merret ndonjë vendim për regjistrimin e Prespës në listën e UNESCO-s. Përvoja nga zona trilaterale e Detit Wadden (Holandë, Gjermani dhe Danimarkë), e cila është pjesë e trashëgimisë botërore, është një shembull që njohja ndërkombëtare mund të bazohet në një sistem të mëparshëm kornizë bashkëpunimi midis vendeve fqinje.
Një kornizë e tillë për Prespën ekziston tashmë. Para 26 vjetësh, më 2 shkurt 2000, kryeministrat e tre vendeve fqinje shpallën krijimin e „Parkut Ndërkufitar Prespa“, duke u angazhuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të basenit të Prespës. Në vitin 2010, tre vendet dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen Ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të „Parkut Prespa“, e cila hyri në fuqi në vitin 2019. Ajo njeh në mënyrë të qartë rëndësinë natyrore dhe kulturore të basenit të Prespës dhe parashikon institucione për veprim të përbashkët.
Por, hendeku midis angazhimeve të dhëna dhe zbatimit të tyre deri më sot mbetet i madh. Pavarësisht aktiviteteve të fundit për përditësimin e Planit Strategjik të Veprimit, institucionet e përbashkëta ende përballen me mungesë të përfshirjes së vazhdueshme shtetërore dhe burimeve të nevojshme që planet të përkthehen në veprime të koordinuara. Thirrjet e vazhdueshme të rrjetit „PrespaNet“ për zbatim efektiv dhe financim të sigurt deri tani nuk kanë dhënë rezultat. Kjo nuk është vetëm mendim i organizatave joqeveritare, por është dokumentuar edhe në rekomandimet e Konventës së Ramsarit drejtuar tre vendeve këtë vit. Ndërkohë, baseni përballet me presione gjithnjë e më të mëdha ekologjike dhe sociale, sidomos lidhur me ndryshimet klimatike dhe uljen e nivelit të ujit. Mbrojtja e Prespës nuk duhet të varet nga afatet kohore për ndonjë nominim të ardhshëm si zonë e mbrojtur.
Sipas udhëzimeve operative të UNESCO-s, vendet që propozojnë një zonë ndërkufitare duhet të krijojnë një komitet të përbashkët menaxhimi ose një organ të ngjashëm që do të drejtojë të gjithë zonën e nominuar. Prandaj, me rivendosjen dhe sigurimin e burimeve të përshtatshme për institucionet e „Parkut Prespa“ mund të zbatohen edhe Marrëveshja ekzistuese dhe nominimi i propozuar për trashëgimi botërore.
„PrespaNet“ i bën thirrje qeverive të tre vendeve dhe Bashkimit Evropian që të kushtëzojnë qartë iniciativën e re me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2010. Ministritë përgjegjëse për kulturën dhe mjedisin duhet të bashkëpunojnë në përputhje me kornizën e „Parkut Prespa“, duke përfshirë autoritetet lokale, menaxherët e zonave të mbrojtura, shkencëtarët, shoqërinë civile dhe banorët. Prioritet i menjëhershëm duhet t’u jepet takimeve të rregullta të organeve të përbashkëta, sekretariatit funksional dhe grupit punues për menaxhimin e ujërave, financave të sigurta nga palët e përfshira dhe një program i përbashkët i dakorduar me masa praktike, me përgjegjësi të qarta, afate dhe raportim publik për përparimin.
Çdo nominim ndërkombëtar i ardhshëm – dhe veçanërisht procesi i gjatë përgatitor që e pret – duhet të bazohet fort në Marrëveshjen katërpalëshe për „Parkun Prespa“ të vitit 2010 dhe në zbatimin e saj. Nominimi duhet të forcojë institucionet, njohuritë dhe veprimin e përbashkët pa të cilat nuk do të ishte aspak e mundur mbrojtja e Prespës. Ambicia e besueshme për të fituar statusin e trashëgimisë botërore fillon me realizimin e mbrojtjes që tre vendet tashmë e kanë premtuar për këtë basen të përbashkët dhe për banorët e tij, shtohet në njoftimin e Shoqërisë Ekologjike Maqedonase.
„PrespaNet“ bashkon Shoqërinë Ekologjike Maqedonase (Republika e Maqedonisë së Veriut), Shoqatën për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (Shqipëri) dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Prespës (Greqi) në një rrjet organizatash joqeveritare për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të basenit të Prespës dhe më gjerë.



