Slaveski në takime me FMN: Ekonomia maqedonase tregon rezistencë, ndërsa sistemi bankar mbetet stabil

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, zhvilloi takime pune me përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në kuadër të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, të cilat po mbahen në Bangkok, Tajlandë. Në takime mori pjesë edhe ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Guvernatori Slaveski u takua me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropën, Mateush Shçurek, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Jerun Klik, dhe zëvendësdrejtorin ekzekutiv, Marniks van Raj. Në biseda u shqyrtuan lëvizjet dhe perspektivat makroekonomike, sfidat në mjedisin ekonomik global, vlerësimet dhe parashikimet në Rishikimin e fundit Ekonomik Botëror (REB), gjendjet në sektorin bankar, si dhe avancimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis Bankës Popullore dhe FMN-së.
"Në kushte të trazirave gjeopolitike të vazhdueshme u theksua nevoja për ndjekje të kujdesshme të lëvizjeve të rreziqeve të jashtme dhe ndikimit të tyre mbi ekonominë vendase. U theksua se ekonomia maqedonase tregon rezistencë pavarësisht sfidave të jashtme, dhe stabilizimi i inflacionit krijon një bazë më të favorshme për kthimin e mëtejshëm drejt niveleve të parashikuara. Megjithatë, pasiguria në tregjet botërore dhe presionet inflacioniste vendase kërkojnë kujdes në drejtimin e politikave makroekonomike, koordinim midis tyre dhe ruajtjen e stabilitetit të tregut valutore dhe nivelit të duhur të rezervave valutore", njoftuan nga Banka Popullore.
Sa i përket sistemit bankar u theksua se ai mbetet stabil dhe rezistent, me kapitalizim të lartë, likuiditet të mirë dhe cilësi të mirë të portofolit të kredisë.
"Këto tregues konfirmojnë aftësinë e bankave për t'u përballur me rreziqet potenciale dhe për të vazhduar mbështetjen e aktivitetit ekonomik në kushte të pasigurisë globale të shtuar", thuhet në njoftim.
Delegacioni i Bankës Popullore zhvilloi takime edhe me përfaqësues të departamenteve të statistikave, çështjeve ligjore dhe tregjeve monetare dhe kapitale të FMN-së. U shqyrtuan rezultatet deri tani dhe mundësitë për avancim të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës monetare dhe statistikave, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përshtatjen me standardet ndërkombëtare.
U konfirmua angazhimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Bankës Popullore dhe FMN-së, i cili kontribuon në përmirësimin e funksioneve të bankës qendrore dhe forcimin e rezistencës së ekonomisë vendase.



