Janevska: Rrisim inkluzivitetin me më shumë asistentë arsimorë deri më tani, staf profesional dhe teknologji asistive

Dita Ndërkombëtare e shkopit të bardhë është një mundësi për të kujtuar sa kemi arritur si shoqëri në detyrimin tonë për t'i mundësuar çdo fëmije të realizojë ëndrrat, talentet dhe potencialet e tij. Kjo Qeveri premtoi se do të rrisë inkluzivitetin e sistemit arsimor në tërësi, dhe po e bëjmë këtë, tha ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të shkopit të bardhë që u mbajt në Kuvend, në organizim të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe Zeta – organizatë për aftësi të kufizuara dhe drejtësi, në bashkëpunim me Shkollën Shtetërore për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve me dëmtime të shikimit "Dimitar Vllahov" dhe Lidhjen Kombëtare të të verbërve.
Ajo theksoi se këtë vit shkollor janë angazhuar numri më i madh i asistentëve arsimorë deri më tani: 1.602 në shkollat fillore në të gjithë vendin dhe 176 në arsimin e mesëm. Gjithashtu është në proces procedura për angazhimin e një numri shtesë të personelit profesional për asistencë arsimore.
"Në drejtim të rritjes së inkluzivitetit është edhe fuqizimi i shërbimeve profesionale në shkolla, përmes angazhimit të personelit të nevojshëm. Paralelisht po përmirësojmë aksesin në objektet shkollore përmes vendosjes së rampave dhe tualeteve për nxënësit me nevoja të veçanta. Kemi futur dy kategori të reja bursash studentore të dedikuara për studentët me aftësi të kufizuara dhe me sëmundje të rralla", shtoi ministrja.
Shkolla shtetërore për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve me dëmtime të shikimit "Dimitar Vllahov", që nga viti i kaluar funksionon si qendër burimore dhe aty punojnë edukatorë specialë dhe rehabilitues, mësues dhe persona profesionalë të trajnuar për edukimin e këtyre nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.
"Këtë vit shkollor, në këtë shkollë të vetme në nivel shteti, janë regjistruar më shumë nxënës se vitin e kaluar. Kjo tregon njohjen e cilësisë së punës arsimore-edukative, mundësinë për marrjen e ndihmës profesionale të përshtatshme dhe rritjen e besimit që prindërit kanë në institucion", theksoi ministrja Janevska.
Ministrja shtoi se shkolla është e pajisur me teknologji asistive më moderne, me angazhim të përbashkët dhe në bashkëpunim me kompani me përgjegjësi shoqërore, që si praktikë duhet të vazhdojë, sepse është shumë e rëndësishme që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore të kenë akses në mjetet dhe zgjidhjet teknologjike më të fundit që do t'u mundësojnë mësim më të lehtë, më shumë pavarësi dhe pjesëmarrje më të barabartë në procesin arsimor dhe në jetën e përditshme.
"Burimet e kufizuara janë pengesa kryesore për kushte më të mira për mësim cilësor, por kjo mund të kompensohet me trajnime më cilësore, komunikim më të mirë midis të gjithë aktorëve dhe sigurisht me përmirësim strategjik të sistemit arsimor inkluziv", shtoi ministrja Janevska, duke theksuar nevojën për rritjen e vetëdijes publike se aftësia e kufizuar nuk përcakton personin dhe se duhet të ndërtojmë një shoqëri ku çdo i ri do të ketë mundësinë të zgjedhë të ardhmen e tij.



