Klekovski në Berlin: Gjermania është partner për shëndetësi moderne – dixhitalizim, staf dhe teknologji të reja

Ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, sot mori pjesë në panelin ministror në nivel të lartë në Forumin e 9-të Gjermano-Lindore të Shëndetësisë në Berlin. Forumi është ngjarje shoqëruese zyrtare e Samitit Botëror për Shëndetësi (World Health Summit), në organizim të Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane (Ost-Ausschuss) dhe Aleancës Gjermane të Shëndetësisë (GHA).
Në panel morën pjesë edhe ministri i Shëndetësisë dhe Punëve Sociale i Gjeorgjisë, Mikhail Sardzveladze, dhe ministrja e Shëndetësisë e Armenisë, Anahit Avanesjan.
Në fjalimin e tij, Klekovski para përfaqësuesve gjermanë dhe ndërkombëtarë të institucioneve, industrisë dhe komunitetit akademik paraqiti gjendjen, sfidat dhe rezultatet e shëndetësisë maqedonase, si dhe disa nga drejtimet për të ardhmen.
U vu theksi në rrjetëzimin rajonal dhe blerjen e përbashkët të barnave inovative; dixhitalizim me vlerë 50 milionë euro përmes një strategjie të re për periudhën 2027–2031, e përgatitur me mbështetje nga BE-ja, si dhe përdorim më të madh të programit "EU4Health".
"Kompani gjermane tashmë janë ndër investitorët kryesorë në Maqedoni. Tani duam që kjo bashkëpunim të arrijë edhe në shëndetësi – përmes teknologjive të reja, dixhitalizimit dhe edukimit të stafit. Mjekët tanë në Gjermani mund të jenë ura e vërtetë midis dy vendeve", deklaroi Klekovski.
Në margjinat e Forumit, ministri Klekovski zhvilloi takime bilaterale me ministrin Sardzveladze dhe me ministren Avanesjan. Ata shkëmbyen përvoja nga reformat e sistemeve shëndetësore dhe diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.
Ministri u takua edhe me "Siemens Healthineers" – për modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe diagnostikës; KPMG – për reformat dhe dixhitalizimin në shëndetësi; Charité – Spitali Universitar i Berlinit, me të cilin shëndetësia maqedonase tashmë bashkëpunon në trajtimin e fëmijëve me fibrozë cistike me qëllim bashkëpunim të mëtejshëm dhe edukim të stafit; si dhe me prof. Patrick Jeurissen, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë të Holandës – për përvojat holandeze me financimin e qëndrueshëm të sistemit shëndetësor dhe me "Falk Consulting" – për mbështetje në ristrukturimin e spitaleve.
Gjithashtu, ai zhvilloi takim me mjekët maqedonas në Gjermani.
Në Ambasadën e RSM-së në Berlin, ministri Klekovski u takua me një numër të madh mjekësh, dentistësh dhe studentësh të mjekësisë nga diaspora maqedonase. Në takim folën edhe ambasadori, prof. dr. Ilber Sela dhe dr. Blaško Dimkovski, kryetar i Shoqatës së mjekëve dhe dentistëve maqedonas në Gjermani. Ministri prezantoi reformat në sistemin shëndetësor, ndërsa dr. Dimkovski shprehu gatishmërinë e Shoqatës për të qenë urë për transferimin e njohurive dhe teknologjive mjekësore gjermane në spitalet në Maqedoni, përmes edukimeve dhe projekteve të përbashkëta shkencore.
"Vetëm në Shoqatën e mjekëve dhe dentistëve maqedonas në Gjermani anëtarë janë afërsisht 500 persona. Kjo është një potencial i madh për shëndetësinë maqedonase. Duam që mjekët tanë në Gjermani të jenë urë për njohuri, edukim dhe bashkëpunim", deklaroi ministri Klekovski.
Ndryshe, vizita në Berlin filloi dje me takim me përfaqësues të GHA-së, Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane dhe Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK). Në takim u diskutua për nevojat e shëndetësisë maqedonase, për ndihmë teknike dhe edukim dhe për mundësitë e partneriteteve.
Klekovski u takua edhe me drejtuesit e Klubit të Biznesit Gjermani – Maqedoni e Veriut (DNMBC), me kryetarin Gafar Vejseli dhe me nënkryetarët, Dragan Ilievski dhe Ziber Seljami. Tema e takimit ishte transferimi i përvojave nga Gjermania në Maqedoni.
Së bashku me ambasadorin Sela, ministri vizitoi edhe komunën kishtare ortodokse maqedonase "Shën Klimenti i Ohrit", ku po ndërtohet një kishë e re.
Ministri Klekovski gjatë vizitës u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, prof. dr. Ilber Sela.



