Parku i ri i Lunas vetëm në letër, është ndërprerë kontrata me kompaninë, Qyteti pa shpjegim zyrtar, thonë nga Levica

Shkupi pothuajse një dekadë është pa Parkun e Lunas, dhe premtimi për ndërtimin e një parku të ri argëtues përsëritet prej vitesh në programet parazgjedhore të autoriteteve komunale. Edhe kryetari aktual i komunës, Orce Gjorgjievski, kishte paralajmëruar realizimin e këtij projekti, por në vend të rezultateve konkrete, banorët e Shkupit ende presin përgjigje se kur më në fund do të kenë një Park të ri Lunas, reagojnë nga Levica.
„Edhe pse në maj të këtij viti Komuna e Shkupit ka lidhur kontratë me kompaninë “MASTEF” për ndërtimin e Parkut të ri Lunas, blerjen dhe montimin e pajisjeve të reja, sipas informacioneve të publikuara në Zyrën për prokurime publike, kontrata është ndërprerë në gusht. Deri tani, nuk ka shpjegim zyrtar nga Komuna për arsyet që çuan në ndërprerjen e kontratës“.
Për shkak të mungesës së informacionit të qartë, grupi i këshilltarëve të Levicës në Komunën e Shkupit, njoftojnë nga partia, sot ka dorëzuar pyetje me shkrim për kryetarin Orce Gjorgjievski, me të cilën kërkon përgjigje për pyetjet: „Në çfarë faze është procedura për ndërtimin e Parkut të ri Lunas?
A është e vërtetë që kontrata me kompaninë “MASTEF” është ndërprerë dhe cilat janë arsyet e ndërprerjes së saj?
A do të ketë Komuna e Shkupit detyrimin të paguajë penalitete apo kompensime të tjera për shkak të ndërprerjes së kontratës?
Kur pritet përfundimi i procedurës dhe kur më në fund do të fillojë realizimi i projektit?“
Banorët e Shkupit, theksojnë nga Levica, nuk meritojnë një premtim tjetër parazgjedhor që do të mbetet i parealizuar. Ata presin, siç thonë, që kryetari të përgjigjet brenda afatit ligjor prej dhjetë ditësh. „Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë po ndodh me projektet që u premtohen, si menaxhohen mjetet publike dhe nëse ekzistojnë pasoja financiare shtesë nga ndërprerja e kontratës“.



