Çmimet e larta janë problemi ynë: Radev mbështeti marrëveshjen mes Trump dhe Putin për naftën dizel ruse

Kryeministri bullgar Rumen Radev mbështeti marrëveshjen mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin për furnizimet me naftë dizel ruse.
„E dini cili është problemi ynë aktual në Evropë? Çmimet e larta të karburanteve“, tha Radev pas mbërritjes në samitin dyditor të liderëve të BE-së dhe shtoi se Bullgaria vlerëson çdo hap që kontribuon në uljen e çmimeve të karburanteve dhe ruajtjen e konkurrencës, njoftoi „Euronews“.
SHBA-ja ka lehtësuar sanksionet për importin e naftës dizel ruse deri në prill 2027 me qëllim që të mundësohet zbatimi i marrëveshjes.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi për „Euronews“ se marrëveshja është një „dhuratë“ për presidentin rus Vladimir Putin në kohën kur Rusia po rrit bombardimet ndaj Ukrainës.
Ajo theksoi se Rusia vazhdon sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile dhe vlerësoi se ndërprerja e shpallur e zjarrit nuk funksionon.
Radev gjithashtu kritikoi sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, duke thënë se ai është kundër sulmeve ndaj kapaciteteve energjetike, përfshirë edhe sulmet ruse ndaj centraleve elektrike në Ukrainë, pasi ato kontribuojnë në rritjen e çmimeve në Evropë.
Liderët evropianë kryesisht mbështetën presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke konsideruar se sulmet ndaj rafinerive ruse i japin avantazh Kievit në konfliktin me Moskën.
Që nga fitorja e tij zgjedhore në fillim të vitit, Radev është profiluar si një nga zërat në BE që kundërshton qasjen aktuale ndaj sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Më parë ai kishte deklaruar për „Euronews“ se strategjia e bllokut për „paqe me forcë“ ka dështuar dhe i ka bërë thirrje liderëve evropianë të kthehen drejt diplomacisë me Kremlinin, transmeton Tanjug.



