BE nuk do ta ndjekë Trumpin në lehtësimin e sanksioneve për naftën dizel ruse

Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, paralajmëroi se heqja e sanksioneve për naftën dizel ruse i ndihmon Rusisë të financojë luftën kundër Ukrainës. Ajo reagoi pasi SHBA dhe Rusia njoftuan se kanë arritur një marrëveshje për eksportin e karburantit rus.
"Ndalimi i sanksioneve për naftën dizel ruse i siguron Moskës të ardhura shtesë për luftë. Tani nuk është koha për lehtësimin e presionit ndaj Rusisë dhe Europa nuk do ta bëjë këtë", shkroi Kallas në rrjetet sociale.
Presidenti amerikan Donald Trump dje deklaroi se Rusia është pajtuar të furnizojë naftë dizel në tregun botëror për të ulur çmimet e karburantit. Ai konfirmoi gjithashtu se administrata e tij ka pezulluar përkohësisht sanksionet amerikane ndaj karburantit rus, të vendosura për të ulur të ardhurat e Moskës për financimin e luftës në Ukrainë.
Sipas njoftimit të Kremlinit, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të furnizojë naftë dhe produkte naftë në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës. Ai vlerësoi se kjo do të ishte e dobishme për ekonominë globale.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dje në mbrëmje dënoi vendimin amerikan, duke e quajtur atë "turpërues" dhe "të dobët". Ai paralajmëroi se kjo do t'i mundësojë Moskës të vazhdojë të financojë luftën kundër Ukrainës.
Gjermania sot njoftoi se do të vazhdojë të zbatojë sanksionet kundër Rusisë, pavarësisht vendimit të Trumpit.
"Qeveria federale ka marrë në dijeni vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me furnizimet e naftës dizel ruse", deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius.
Ai theksoi se qëndrimi i Gjermanisë mbetet i pandryshuar.
"Qeveria federale qëndron prapa vendimit për sanksionet kundër Rusisë dhe po punon me partnerët evropianë për sanksione shtesë", shtoi Kornelius.
Çmimet e naftës dizel, e cila përdoret në bujqësi, për ngrohjen e shtëpive dhe në transportin rrugor të mallrave, janë rritur në nivele afër rekordeve.
Çmimet e larta të karburantit janë një problem politik për Trumpin dhe republikanët para zgjedhjeve për Kongresin amerikan më 3 nëntor, ku do të vendoset nëse republikanët do të ruajnë shumicën e ngushtë në Kongres.



