E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Apasiev u takua me prindërit e fëmijëve të vrarë nga Koçani

14.10.2026, 20:46

Kryetari i Komisionit të Përhershëm Hetimor për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit, deputeti Dimitar Apasiev, sot në kabinetin e tij në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë zhvilloi takim me përfaqësues të Shoqatës „16 mars 2025 – Koçani“.

„Në takim u diskutua për rrjedhën e procesit gjyqësor kundër të akuzuarve për tragjedinë e Koçanit, si dhe për mundësitë e vazhdimit të procesit kuvendor për përcaktimin e përgjegjësisë politike për tragjedinë, i cili prej muajsh është bllokuar nga pengesa procedurale. U hap edhe çështja e mosdelegimit të anëtarëve në Komisionin Special Hetimor nga ana e shumicës qeverisëse dhe një pjese të opozitës, gjë që pengon formimin dhe funksionimin e tij“, njoftuan nga Levica pas takimit.

Apasiev kujtoi se pas seancës publike të Komisionit të Përhershëm Hetimor më 9 dhjetor 2025, ai i kishte dorëzuar në kohë propozimet për përfundime të gjitha grupeve parlamentare, me pritjen që ato të shqyrtoheshin dhe miratoheshin në vazhdimin e seancës. Megjithatë, siç thonë nga Levica, vazhdimi kurrë nuk u mbajt për shkak të kalkulimeve politike të deputetëve të pushtetit.

„Kuvendi duhet të përmbushë detyrën e tij institucionale dhe të mundësojë vazhdimin e procesit për përcaktimin e përgjegjësisë politike për tragjedinë e Koçanit. Familjet e të vrarëve dhe të plagosurve meritojnë përgjigje, dhe përcaktimi i përgjegjësisë nuk duhet të mbetet peng i interesave politike dhe justifikimeve procedurale“, thonë nga partia.

Lajme të ngjashme