E premte, 23 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Shasivari në takim me Warns: Mbështetja amerikane është kyçe për reformat në drejtësi

23.10.2026, 12:20

Ministri i drejtësisë Jeton Shasivari zhvilloi një takim me Nikol Warns, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u diskutuan prioritetet kyçe reformuese në drejtësi dhe mundësitë për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një mbështetje të fortë për agjendën reformuese të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekspertiza dhe mbështetja institucionale amerikane kanë rëndësi të veçantë për zbatimin e reformave thelbësore që do të sigurojnë institucione më efikase, siguri më të madhe ligjore dhe rezultate konkrete.

Një theks i veçantë në takim u vu në reformën e legjislacionit penal. Ministri Shasivari theksoi nevojën për përdorimin e përvojës dhe ekspertizës amerikane në këtë proces, me qëllim krijimin e zgjidhjeve ligjore bashkëkohore dhe efikase që do të kontribuojnë në parandalimin dhe ndëshkimin më të suksesshëm të korrupsionit dhe krimit.

Në fokus të bisedimeve ishin edhe dixhitalizimi i sistemit gjyqësor, agjenda legjislative dhe forcimi i kapaciteteve institucionale, si segmente kyçe të procesit reformues.

Ministri Shasivari shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA, veçanërisht për kontributin në forcimin e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar transnacional.

Një rezultat konkret i këtij partneriteti është fillimi i realizimit të projektit për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për drogë, i financuar nga Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Drogave dhe Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete, ndihmës ekspertësh dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim sigurimin e rezultateve të qëndrueshme dhe të matshme nga reformat.

Për Ministrinë e Drejtësisë, partneriteti strategjik me SHBA-në është më shumë se bashkëpunim institucional. Ai është një mbështetje e rëndësishme për një agjendë reformuese, e cila ka si qëllim përfundimtar një drejtësi funksionale, të pavarur dhe efikase, ku ligjet zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, institucionet marrin përgjegjësitë e tyre, dhe qytetarët kanë besim në drejtësi.

Lajme të ngjashme