E premte, 16 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Gashi nga Roma: Institucionet e forta janë kyçe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare

16.10.2026, 14:53

Në konferencën e kryetarëve të parlamenteve dhe sekretarëve të përgjithshëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila mbahet më 15 dhe 16 tetor 2026 në Romë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u paraqit me temën „Rinovimi i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla: roli i parlamenteve në përballimin dhe përgjigjen ndaj krizave bashkëkohore“.

Në fjalimin e tij para kolegëve, kryetari Gashi theksoi se në kushte të pasigurisë së shtuar dhe sfidave komplekse gjeopolitike, sigurie dhe ekonomike, e drejta ndërkombëtare përbën një kusht kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, mbrojtjen e sovranitetit dhe të drejtave të shteteve dhe vendosjen e rregullave të qarta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai theksoi nevojën për institucione të forta që do të sigurojnë zbatimin e qëndrueshëm të këtyre rregullave, duke vënë në pah rolin e parlamenteve në mbikëqyrjen demokratike, legjitimimin e obligimeve ndërkombëtare dhe nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit.

Duke u ndalur te roli i Këshillit të Evropës, ai theksoi kontributin e Organizatës në avancimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ai gjithashtu nënvizoi se diplomacia parlamentare është një instrument i rëndësishëm për forcimin e besimit reciprok, thellimin e dialogut ndërparlamentar dhe zhvillimin e partneriteteve afatgjata të bazuara në bashkëpunim dhe respekt.

Në kontekstin e sfidave bashkëkohore, kryetari Gashi potencoi rëndësinë edhe të bashkëpunimit rajonal dhe aktiviteteve të koordinuara për forcimin e rezistencës kolektive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, ekonomisë dhe shoqërisë. Në fund përfundoi se përmes dialogut të hapur, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes reciproke, parlamentet mund të kontribuojnë në paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm, në interes të qytetarëve.

Lajme të ngjashme