E premte, 16 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Hoxha: Rregullimi i shtratit të Lumit Suva Reka po zhvillohet me ritëm të shpejtë, po zgjidhim një problem shumëvjeçar në Saraj

16.10.2026, 14:39

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot inspektoi punimet për rregullimin e shtratit të Lumit Suva Reka në Komunën e Sarajt. Projekti përfshin rregullimin e rreth 12 kilometrave të rrjedhës së lumit, nga rruga për Bojanë, përmes Glumovës, deri në bashkimin me lumin Treska.

Brenda më pak se tre muajve nga fillimi i punimeve, janë realizuar 20% të projektit, për të cilin Ministria ka siguruar mbi 379 milionë denarë. Me realizimin e projektit do të ulet rreziku nga përmbytjet, do të mbrohen shtëpitë, pronat dhe tokat bujqësore dhe do të kontribuohet për një mjedis jetësor më të pastër dhe më të sigurt për banorët e këtij rajoni.

"Ky projekt është i rëndësishëm sepse i përgjigjet nevojave shumëvjeçare të qytetarëve. Fakti që brenda më pak se tre muajve janë realizuar 20% të projektit tregon se punimet po avancojnë. Sot jemi në terren për të ndjekur realizimin dhe për t'u siguruar që aktivitetet vazhdojnë sipas planit. Detyra jonë nuk përfundon me sigurimin e mjeteve dhe fillimin e punimeve. Ajo nënkupton ndjekje të përgjegjshme të çdo faze, deri në përfundimin e projektit", theksoi ministri Hoxha.

Ai theksoi se bashkëpunimi midis pushtetit qendror dhe atij lokal është i rëndësishëm për zbatimin në kohë të projekteve infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Rregullimi i Lumit Suva Reka është pjesë e investimeve më të gjera në mjedisin jetësor dhe infrastrukturën komunale, të cilat përbëjnë themelet e kthesës së gjelbër dhe krijojnë kushte për vendbanime më të mbrojtura dhe zhvillim të qëndrueshëm të komunave.

Lajme të ngjashme