E premte, 16 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Gjeneral amerikan: NATO është shumë më i fuqishëm se Rusia, nuk besoj se Putin do ta sulmojë Evropën

16.10.2026, 14:07

Aftësitë ushtarake të NATO-s tejkalojnë ndjeshëm ato ruse, deklaroi komandanti suprem i forcave të Aleancës, gjenerali amerikan Alexus Grinkevich, në një intervistë për revistën gjermane javore „Spiegel“, transmeton Hina.

Grinkevich theksoi se kapacitetet ushtarake që NATO do të përdorte në rast të një konflikti më të madh janë shumë më të fuqishme se ato që disponon Moska. Si shembull përmendi se Rusia nuk ka avionë luftarakë modernë F-35, asnjë numër të madh shkatërruesish dhe nëndetëse të sofistikuara si ato që posedon Aleanca.

Gjenerali shprehu bindjen se Rusia nuk do të fillojë një sulm konvencional në shkallë të gjerë ndaj Evropës, duke vlerësuar se presidenti rus Vladimir Putin përdor sabotime dhe metoda të tjera sepse nuk dëshiron përplasje të drejtpërdrejtë me NATO-n.

Sipas tij, kjo është rezultat i parandalimit ushtarak, të cilin NATO duhet ta mbajë përmes modernizimit, trajnimeve dhe demonstrimit të aftësive të saj.

„Duhet t’i quajmë gjërat me emrin e duhur: sabotimi, ndezja e zjarreve apo sulmet terroriste janë terma të qarta që kërkojnë përgjigje të qarta“, tha Grinkevich, duke vlerësuar se shprehja „sulme hibride“ është shumë e paqartë.

Ai paralajmëroi se Putin po luan një „lojë të rrezikshme“, duke u përpjekur të bindë qytetarët evropianë se mbështetja për Ukrainën mund të çojë në luftë me Rusinë.

Duke iu referuar kërcënimeve ruse lidhur me Kaliningradin, Grinkevich theksoi se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe do të veprojë vetëm nëse sulmohet.

„Rusia nuk duhet të shqetësohet për Kaliningradin“, tha gjenerali, duke shtuar se forcat ruse në këtë zonë janë dobësuar për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa NATO ka forcuar praninë e saj në Baltik.

„Situata atje është ushtarakisht e pafavorshme për Rusinë“, përfundoi Grinkevich.

Lajme të ngjashme