E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Drejtori i Doganave: Interesi ynë më i lartë i përbashkët është krijimi i koalicioneve të forta të sigurisë në luftën kundër migracionit ilegal dhe krimit të rëndë

09.10.2026, 14:33

„Interesi ynë më i lartë shtetëror është krijimi i koalicioneve të forta të sigurisë me çka do të mundësojmë një përpjekje më të fuqishme globale të përbashkët në luftën kundër migracionit ilegal dhe në luftën kundër krimit të rëndë. Administrata Doganore nga korriku i vitit 2024 deri në këtë moment ka parandaluar hyrjen e 246 migrantëve ilegalë, kryesisht nga vendet Egjipt, Sudani, Pakistani, Irani, Iraku dhe Siria. Gjithashtu në këtë periudhë kemi forcuar ndjeshëm luftën kundër krimit të organizuar. Këto fakte flasin jo vetëm për rolin që kemi në mbrojtjen e kufijve tanë, por edhe në mbrojtjen e kufijve të vendeve të BE-së, përmes veprimit në kohë dhe të koordinuar“, theksoi drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikolovski, në takimin operativ të sotëm të Grupit të Përbashkët për Migracion, të organizuar nga Zyra për Sigurinë Publike.

Në këtë drejtim, Nikolovski theksoi se është me rëndësi të veçantë shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, i cili, siç theksoi, është përmirësuar ndjeshëm, për çka flasin edhe rezultatet vetë. Ai shtoi se vetëm këtë vit ekipet mobile doganore dhe njësitë K9 në kuadër të Departamentit për Punë Operative kanë asistuar në 41 aksione të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

„Shkëmbimi i informacionit, profilizimet e përbashkëta të rrezikut dhe veprimet e koordinuara janë mjete me të cilat mund të identifikojmë rrezikun shumë më herët, para se ai të arrijë në kufirin tonë. Pajtohem që deri tani është arritur shumë, por mund dhe duhet të bëjmë edhe më shumë, sepse krimi nuk pushon, nuk pret dhe nuk njeh kufij. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe do të vazhdojmë me forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e bashkëpunimit deri më tani, me qëllim përballimin efikas të migracionit ilegal dhe krimit të organizuar. Por gjithashtu, do të vazhdojmë të forcojmë besimin dhe bashkëpunimin operativ me MPB-në dhe Zyrën për Sigurinë Publike, me Prokurorinë Publike, si dhe me administratat doganore dhe institucionet e sigurisë nga rajoni“, u shpreh Nikolovski.

Në takim u evidentua përparimi i shtetit tonë në përballjen me sfidat moderne të sigurisë, përfshirë trafikimin e njerëzve dhe kontrabandën e migrantëve, që është veçanërisht i rëndësishëm në kohën e procesit eurointegrues të shtetit.

Lajme të ngjashme