Gjorgjievski: Shkupi ka çfarë t’i tregojë Evropës, me partneritete të forta hapim rrugën drejt skenës evropiane kulturore

Kryetari i Komunës së Shkupit, Orcë Gjorgjievski, sot së bashku me ambasadorin e Francës, Kristof Le Rigoler, drejtorin e Institutit Francez në Shkup, Greguar Zhislër, dhe drejtorin e Fondacionit "Shkupi EPK 2028" Marjan Cvetkovski, shënuan fillimin e partneritetit strategjik me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit dhe Institutit Francez, nën mbikëqyrjen e lartë të Komunës së Shkupit.
– Me këtë partneritet hapim dyer për produksione të përbashkëta artistike, shkëmbim artistësh dhe ekspertësh dhe zhvillim të industrive kulturore dhe kreative. Krijojmë hapësirë që krijuesit tanë të lidhen me skenën kulturore evropiane, ndërsa shkupjanët të marrin përmbajtje të reja, cilësore dhe të aksesueshme kulturore. Shkupi ka shpirt, ka talent dhe ka një histori që meriton të shihet dhe dëgjohet nga e gjithë Evropa. Detyra jonë është të krijojmë mundësi që ajo histori të marrë vendin e vet të vërtetë – deklaroi Gjorgjievski.
Gjorgjievski theksoi se Komuna e Shkupit do të përkushtohet veçanërisht në bashkëpunimin me Burgun, me të cilin në vitin 2028 ndajmë titullin e kryeqytetit evropian të kulturës, si dhe në mundësinë për realizimin e "Sezonës Franceze në Shkup 2028".
– Ndërtojmë ura mes qyteteve tona, artistëve tanë dhe kulturave tona, me ambicien që këto lidhje të zgjasin edhe shumë pas vitit 2028. Për mua, suksesi i Shkupit 2028 do të matet edhe me mundësitë që do të krijojmë për të rinjtë, me mbështetjen për artistët tanë dhe me kulturën që do të arrijë tek çdo qytetar. Dua që ky titull të lërë një vlerë të qëndrueshme në jetën e qytetit tonë. Së bashku e kthejmë vizionin në bashkëpunim konkret. Shkupi ka çfarë t’i tregojë Evropës. Me identitetin e tij kulturor, me kreativitetin dhe me njerëzit e tij është i gatshëm të lërë një gjurmë të fortë – tha Gjorgjievski.
Gjorgjievski shprehu falënderime për ambasadorin Le Rigoler, Institutin Francez dhe të gjithë partnerët për besimin dhe mbështetjen.



