Program i ri për mësim dhe zhvillim të hershëm në 11 kopshte në vend

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim me Zyrën për Zhvillimin e Arsimit, UNICEF-in dhe ekipet ekspertësh, fillon pilotimin e Programit të ri për mësim dhe zhvillim të hershëm, me qëllim përmirësimin e cilësisë së edukimit dhe arsimit parafillor në vend.
Në ngjarjen e sotme të dedikuar për pilotimin, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, theksoi se ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më cilësor edukativo-arsimor, në qendër të të cilit është fëmija, nevojat, interesat, mundësitë dhe zhvillimi i tij individual.
"Në fokus të programit të ri është fëmija, nevojat, interesat, mundësitë dhe zhvillimi i tij individual. Ai është i orientuar drejt krijimit të kushteve që fëmija të mësojë përmes lojës, të eksplorojë, të fitojë përvoja të reja, të përmirësojë komunikimin dhe të marrë pjesë aktive", theksoi ministri Velkovski.
Pilotimi do të zhvillohet në 11 kopshte nëpër vend, të përzgjedhura me qëllim për të përfshirë kontekste të ndryshme rajonale, gjuhësore dhe socio-kulturore. Në këtë mënyrë do të mundësohet verifikimi i qartësisë, zbatueshmërisë dhe përshtatshmërisë së Programit në kushte dhe mjedise të ndryshme ku funksionojnë kopshte.
Në fjalimin e tij, ministri Velkovski theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të drejtorëve, edukatorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe të gjithë profesionistëve të përfshirë në proces. Nga ata pritet të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre, të ndjekin gjendjet aktuale, të identifikojnë sfidat dhe të ndajnë informacione të kthyeshme që do të ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të Programit.
"Përveç përvojave pozitive, duam të mësojmë edhe me çfarë vështirësish jeni përballur, për çfarë nevojitet sqarim shtesë dhe cilat pjesë të Programit duhet të plotësohen ose ndryshohen. Vetëm përmes dialogut të hapur dhe profesional mund të arrijmë në zgjidhje që do të jenë të zbatueshme dhe të qëndrueshme në punën e përditshme të kopshteve", theksoi ministri.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën për Zhvillimin e Arsimit, UNICEF-in dhe ekipet ekspertësh, do të ndjekë zbatimin e pilotimit, do të sigurojë mbështetje profesionale dhe do të mbledhë përvojat dhe informacionet e kthyeshme nga pjesëmarrësit në proces.
Gjithashtu, ministri theksoi se pilotimi nuk përbën mbikëqyrje inspektuese, as vlerësim të punës së edukatorëve apo kopshteve, por një mundësi për mësim të përbashkët, verifikim dhe përmirësim të Programit para zbatimit të tij në nivel kombëtar.
"Është përgjegjësi jonë e përbashkët që Programi i ri të mos mbetet vetëm në letër, por të jetë një kornizë e qartë, fleksibël dhe e zbatueshme për punë cilësore edukativo-arsimore", theksoi Velkovski, duke shprehur bindjen se njohuritë, profesionalizmi, përvoja dhe përkushtimi i të gjithë të përfshirëve do të kontribuojnë në zbatimin e suksesshëm të pilotimit.



