E enjte, 15 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Qyteti i Shkupit: Parku i ri Luna do të përfundojë deri në fund të vitit 2027, sipas afatit të premtuar

15.10.2026, 15:02

Shkupi do të ketë një Park Luna modern, i cili do të rikthejë të qeshurat e fëmijëve dhe do të krijojë një vend të ri për argëtim dhe momente familjare të përbashkëta. Pas një dekade pa një nga hapësirat e preferuara të të vegjëlve, Qyteti i Shkupit mbetet i përkushtuar për realizimin e projektit brenda afatit të parashikuar në programin e kryetarit të qytetit, Orce Gjorgjievski – deri në fund të vitit 2027, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Parku i ri Luna, siç është bërë i ditur, është konceptuar si një kompleks modern argëtimi me përmbajtje të ndryshme për moshat e ndryshme. Përveç pajisjeve klasike të argëtimit, janë parashikuar roller coaster, rrotë panoramike, atraksione uji, lojëra interaktive dhe zona për realitet virtual, të cilat do të ofrojnë një përvojë krejtësisht të re për vizitorët.

Lidhur me procedurat e prokurimit dhe ndërprerjen me marrëveshje të kontratës së lidhur pas tenderit të ri, Qyteti i Shkupit informon publikun se bëhet fjalë për një vendim me të cilin shmanget prokurimi i dyfishtë i të njëjtave pajisje dhe sigurohet shpenzim i përgjegjshëm i fondeve publike.

"Në fakt, pas ndërprerjes së kontratës së mëparshme për prokurimin e pajisjeve, e lidhur gjatë kohës së kryetarit të qytetit Koçe Trajanovski, kompania ka nisur procedurë gjyqësore kundër Qytetit të Shkupit. Vendimi gjyqësor në favor të kompanisë, me të cilin Qyteti ka detyrimin të paguajë pajisjet, është marrë pasi ishte lidhur kontrata e re pas tenderit të ri.

Meqenëse prokurimi i ri përfshinte edhe pajisje të parashikuara me kontratën e mëparshme, u vendos që kontrata e re të ndërpritet me marrëveshje. Kështu parandalohen dyfishimet e panevojshme të pajisjeve dhe ngarkesa shtesë e buxhetit të qytetit".

Këtë vendim, theksojnë nga Qyteti i Shkupit, nuk e ndryshon afatin për ndërtimin e Parkut të ri Luna. "Brenda një muaji do të fillojë montimi i shtatë pajisjeve të prokurura me kontratën e mëparshme, paralelisht me rregullimin e hapësirës, për të krijuar kushtet që kjo pjesë e parkut të fillojë me punë.

Me tenderin e ri që do të publikohet më tej do të prokurohen pajisje shtesë, përfshirë roller coaster dhe rrotën panoramike, me të cilat do të kompletohet oferta e përmbajtjeve argëtuese. Në këtë mënyrë, vlera e kontratës së re do të jetë më pak se 10 milionë euro.

Parku Luna do të zgjerohet në një sipërfaqe më të madhe se ai i mëparshmi, duke u zgjeruar edhe në hapësirën në Parkun Qytetar ku ndodheshin diskotekat verore, të cilat u hoqën para gjashtë muajsh. Kjo do të mundësojë më shumë hapësirë për atraksione të reja, organizim më të mirë të përmbajtjeve dhe qëndrim më të këndshëm për vizitorët.

Me realizimin e këtij projekti, Shkupi do të ketë një vend modern argëtimi, ndërsa fëmijët një hapësirë ku loja, gëzimi dhe fantazia do të jenë në qendër të vëmendjes. Një hapësirë për përvoja të kujdesshme fëmijësh, miqësi të reja dhe kujtime që do të tregohen për vite me radhë".

Lajme të ngjashme