Shiste të dhëna për persona fizikë dhe juridikë, ofronte shërbime për mashtrime, 20-vjeçari nga Tetova dyshohet për krim kompjuterik

Prokuroria Themelore Publike Tetovë ka nxjerrë Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër një 20-vjeçari nga fshati Golema Reçica për disa vepra në fushën e krimit kompjuterik.
Gjatë veprimeve paraprake hetimore disa mujore të koordinuara nga prokurori, u siguruan prova që tregojnë dyshim të bazuar për kryerjen e veprës penale – Mashtrim kompjuterik sipas nenit 251-b të Kodit Penal, pasi i dyshuari në periudhën nga viti 2025 deri në 2026 ka administruar një grup të paligjshëm online në aplikacionin e komunikimit "Telegram", përmes të cilit ofronte shërbime dhe mjete softuerike për mashtrime lidhur me kthimin e paligjshëm të mjeteve monetare.
Përveç kësaj, ai dyshohet edhe për veprën penale – Keqpërdorim i të dhënave personale sipas nenit 149, të cilën e kryente si administrator i domain-eve dhe faqeve të internetit të lidhura me platformën "OLVX", e cila shërbente si treg i paligjshëm për shitjen e të dhënave digjitale të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve të dedikuara për kryerjen e veprave penale. Përdoruesit kryesorë të platformës ishin kriminelë kibernetikë që blinin dhe shisnin të dhëna personale dhe kredenciale hyrjeje për llogaritë e përdoruesve, dhe gjatë periudhës së funksionimit të platformës u ofruan mbi 1,500 të dhëna hyrjeje të vjedhura të viktimave – persona fizikë dhe juridikë.
Bazuar në urdhër për kontroll të siguruar nga gjykata me kërkesë të prokurorit, u krye kontroll te i dyshuari dhe u sekuestruan dy telefona celularë. Në një dosje të fshehur në njërin nga telefonat u konstatua se ai posedonte gjithsej 29 video me përmbajtje eksplicite të veprimeve seksuale midis personave të rritur dhe fëmijëve. Për këtë arsye, 20-vjeçari dyshohet edhe për veprën penale – Prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve sipas nenit 193-a të Kodit Penal.
Duke pasur parasysh se ekziston rrezik i pakontestueshëm i arratisjes së të dyshuarit, ndaj të cilit rëndojnë disa vepra penale, si dhe për shkak të rrezikut që ai të vazhdojë kryerjen e veprave penale, prokurori i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Tetovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit.



