Meksika paralajmëron për uraganin Trudi, tajfuni Champi po lëviz drejt Guam

Marina meksikane sot u bëri thirrje shërbimeve detare dhe banorëve të zonave bregdetare të jenë maksimalisht të kujdesshëm për shkak të uraganit Trudi, i cili sjell dallgë të larta, reshje të bollshme dhe rrezik nga rritja e nivelit të lumenjve.
Paralajmërimi për uragan është në fuqi në zonën nga Manzanillo, në shtetin federal Colima, deri në Cabo Corrientes, në shtetin Jalisco, transmeton AP.
Autoritetet në Colima njoftuan se për momentin rreziqet janë të vogla, por paralajmëruan se uragani mund të sjellë sasi të konsiderueshme shiu dhe të shkaktojë dëme për shkak të tokës së ngopur, pas një serie stuhish që më parë goditën bregun Paqësor.
Gjatë fundjavës priten reshje nga 10 deri në 20 centimetra.
Tajfuni Champi po lëviz drejt Guam
Në Oqeanin Paqësor, tajfuni Champi është forcuar dhe po lëviz drejt perëndimit, në drejtim të Guam, me shpejtësi prej 23 kilometrash në orë. Shpejtësia maksimale e erërave të tij të qëndrueshme ka arritur në 160 kilometra në orë.
Këto të dhëna janë publikuar në faqen e internetit të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik amerikan dhe Komandës së Meteorologjisë dhe Oqeanografisë së marinës amerikane.
Është lëshuar paralajmërim për tajfun për Guam dhe ishullin Rota, ndërsa paralajmërim për stuhi tropikale është në fuqi për Tinian, Saipan dhe zonat përreth.



