Meksika forcon mbikëqyrjen mbi platformat online për të mbrojtur fëmijët

Kryetarja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, njoftoi se sot do të nënshkruajë një dekret që kërkon nga platformat digjitale, duke përfshirë rrjetet sociale dhe shërbimet e streaming-ut, që të mbrojnë më mirë fëmijët dhe adoleshentët nga përmbajtjet e dhunshme, seksuale dhe të tjera të dëmshme.
Rregullorja, e cila do të ashpërsojë mbikëqyrjen mbi kompanitë e mëdha teknologjike, vjen pasi dy ish-nxënës 18-vjeçarë sulmuan një shkollë të mesme në shtetin verior Coahuila në fillim të tetorit, ku humbi jetën një person dhe tre të tjerë u plagosën. Platformat digjitale do të kenë një muaj kohë për t'u përshtatur me rregulloren e re, shpjegoi këshilltarja qeveritare Luiza Marija Alkalde.
Sheinbaum paralajmëroi se nëse kompanitë nuk respektojnë rregulloren, qeveria do të mbështesë një ligj që do të ndëshkojë platformat. Zyrtarët thanë se tashmë janë takuar me përfaqësues nga Meta, Microsoft, Apple, TikTok, Google, X dhe Huawei për të diskutuar këtë çështje.
Meta: Jemi të njohur me rregulloren
Zëdhënësi i Metës tha për Reuters se kompania është "e vetëdijshme për rregulloren" dhe se do ta "analizojë me kujdes", duke shtuar se prej kohësh ka mjete që ndihmojnë prindërit "të udhëheqin përvojën digjitale të fëmijëve të tyre".
Veprimi i Meksikës është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë globale për mbrojtjen e të miturve në internet. Qeveritë në Evropë dhe Australi kanë forcuar kontrollin mbi platformat digjitale dhe në pjesë i kanë ndaluar të miturve aksesin në rrjetet sociale.



