Ish-zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tallur në X pas lavdërimeve për Trumpin

Ish-zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, u bë objekt i kritikave në rrjetin social X pasi ndau përshtypjet e saj nga puna me presidentin amerikan Donald Trump, duke lavdëruar karakterin dhe përkushtimin e tij.
Zacharia e përshkroi Trumpin si një njeri të mirë, të kujdesshëm, të sjellshëm dhe punëtor, duke shprehur keqardhje që jo të gjithë amerikanët e njohin meritat e tij.
Ajo gjithashtu vlerësoi se askush nuk mund të bëjë kaq shumë për madhështinë e Amerikës saç ka bërë dhe vazhdon të bëjë Trump, duke shtuar se ishte një nder i madh të punonte me të.
Në vend të mbështetjes, postimi i saj shkaktoi tallje nga disa përdorues të X, të cilët theksuan qëndrimin e saj jashtëzakonisht të shkurtër si zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Zacharia la detyrën vetëm disa ditë pas emërimit. Gjatë asaj periudhe mbajti një briefing, më 13 tetor, ku iu përgjigj tre pyetjeve të gazetarëve.
Një përdorues i X komentoi me ironi paraqitjen e saj: "Harxhoj më shumë kohë dhe përpjekje duke rregulluar çarçafët me elastik sesa ti kalove në sallën e briefingut të Shtëpisë së Bardhë".
Paraqitja e saj e parë para gazetarëve kishte qenë më parë objekt kritikash. Më 15 tetor, Zacharia deklaroi se kishte pasur më pak se tetë orë për përgatitje, duke e përmendur këtë si arsye për briefingun e dështuar.
Mediat amerikane kishin raportuar më parë se ajo largohej nga detyra pas një mandati jashtëzakonisht të shkurtër. Rasti i saj rihapi pyetje për sfidat që sjell pozicioni i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, si dhe për presionin mbi ata që përfaqësojnë publikisht qëndrimet e presidentit amerikan.



