E shtunë, 17 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Një aligator 3.6 metra i gjatë vret një burrë 71-vjeçar ndërsa peshkonte në Florida

17.10.2026, 21:15

Steve Hamilton, 71 vjeç, vdiq në një sulm nga një aligator ndërsa peshkonte në bregun e një liqeni të vogël në Winter Garden, Florida, njoftuan autoritetet, transmetojnë mediat amerikane.

Një aligator gati 3.6 metra i gjatë e tërhoqi Hamiltonin në ujë të premten pasdite. Ekipet e shpëtimit mbërritën në vend rreth orës 17:20, pas një thirrjeje për emergjencë, por patën vështirësi për t’i qasur për shkak të pranisë së aligatorëve të tjerë në afërsi, transmeton televizioni lokal WOFL.

Trupi i viktimës u gjet në ujë disa orë më vonë. Sipas kapitenit Michael Mason nga policia e Winter Garden, aligatorit që sulmoi Hamiltonin më pas iu dha fundi i jetës.

Mason deklaroi se të premten autoritetet nuk kishin marrë asnjë raport për praninë e aligatorëve në liqenin që lidhet me liqenin Apopka.

"Ka shumë aligatorë aty. Nuk është e pazakontë të shihen në këtë pjesë të qytetit", tha ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mjedisit.

Sipas tij, kafsha mund të duket e qetë, por kjo nuk do të thotë se nuk është e rrezikshme.

Rreth 1.3 milionë aligatorë jetojnë në Florida

Edhe pse sulmet vdekjeprurëse nga aligatorët janë të rralla, sipas të dhënave të Komisionit për Mbrojtjen e Peshkut dhe Jetës së Egër të Floridës, që nga viti 1948 në këtë shtet amerikan janë regjistruar të paktën 34 raste vdekjesh të lidhura me sulmet e këtyre kafshëve. Vlerësohet se në Florida jetojnë rreth 1.3 milionë aligatorë.

Vdekja e Hamiltonit ndodhi më pak se katër muaj pasi Britani Clark, 31 vjeçe, vdiq në një sulm nga një aligator ndërsa po notonte me partnerin në lumin Econlockhatchee, në qarkun Seminole. Kafsha, rreth katër metra e gjatë, u nxorr nga lumi dhe u ekzekutua.

Lajme të ngjashme