Zelenski: Është e mundur një takim midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë në dhjetor në samitin e G20

Përfaqësues të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë mund të takohen në dhjetor, gjatë samitit të G20 në Majami, por Uashingtoni dhe Moska ende nuk e kanë konfirmuar takimin, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.
Ai theksoi se bisedat mund të mbahen edhe në një vend tjetër, përfshirë një shtet evropian ose në Lindjen e Mesme.
"Takimi mund të mbahet në SHBA gjatë samitit të G20. Megjithatë, ende nuk ka konfirmim as nga Rusia as nga SHBA-ja. Ai mund të mbahet edhe në një vend evropian", tha Zelenski në një bisedë me gazetarët përmes aplikacionit WhatsApp, transmeton Reuters.
"SHBA-ja vazhdimisht ka përmendur Emiratet e Bashkuara Arabe ose Arabinë Saudite", shtoi presidenti ukrainas.
Zelenski njoftoi se negociatorët ukrainas të premten kanë biseduar me përfaqësues amerikanë, por nuk zbuloi detaje nga bisedimet.
Ai gjithashtu vlerësoi se Europa ka nevojë për një kanal të vetin të dialogut me Rusinë, me të cilën marrëdhëniet janë të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë.
Samiti i G20, grupi i 20 ekonomive kryesore botërore, ku janë anëtare SHBA-ja dhe Rusia, por jo Ukraina, pritet të mbahet në dhjetor në Majami.



