E shtunë, 17 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

El Sisi: Egjipti do të mbrojë Arabinë Saudite nëse Riad kërkon ndihmë

17.10.2026, 21:30

Presidenti egjiptian Abdel Fatah el Sisi deklaroi se Egjipti do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur Arabinë Saudite nëse Riad zyrtar e kërkon këtë.

Në kushte të eskalimit të sulmeve të rebelëve hutë nga Jemeni ndaj Arabisë Saudite, dhe në prag të seancës së jashtëzakonshme të parlamentit egjiptian nesër, Sisi tha se Egjipti nuk do të lejojë që të rrezikohet siguria dhe stabiliteti i mbretërisë saudite, transmeton Reuters.

El Sisi theksoi se Egjipti do të veprojë në përputhje me udhëzimet e mbretit saudit Salman dhe trashëgimtarit të fronit Mohammed bin Salman, të cilët vizituan Egjiptin më 15 shtator, pas rifillimit të luftimeve në Jemen. Atëherë diskutuan për çështje të ndryshme, përfshirë sigurinë dhe lundrimin në Detin e Kuq.

"E di që për këtë është e nevojshme miratimi i parlamentit egjiptian dhe prandaj kërkoj mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme. Është e papranueshme të lejojmë që Arabia Saudite, siguria ose stabiliteti i saj të rrezikohen", tha Sisi gjatë një ceremonie në Akademinë Ushtarake Egjiptiane.

Ai theksoi se Egjipti nuk dëshiron të sulmojë askënd, por është i gatshëm të veprojë në mbrojtje.

Pak pas fjalimit të tij, parlamenti njoftoi se të dielën, në orën 13:00 me kohën lokale, do të mbajë një seancë plenare si përgjigje ndaj kërkesës së presidentit.

Pas ndërprerjes së armëpushimit dhe rifillimit të përleshjeve të armatosura kundër forcave të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, e cila mbështetet nga Arabia Saudite, hutët në ditët e fundit kanë kryer sulme ndaj aeroportit ndërkombëtar në Riad dhe ndaj impianteve të gjigantit shtetëror të naftës "Saudi Aramco".

Egjipti dhe Arabia Saudite janë partnerë strategjikë dhe ekonomikë të ngushtë. Arabia Saudite dhe vende të tjera të pasura me naftë nga Gjiri i kanë siguruar Egjiptit miliarda dollarë ndihmë pasi ushtria rrëzoi presidentin islamist Mohammed Morsi në vitin 2013.

Egjipti iu bashkua edhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili ndërhyri në Jemen në vitin 2015 për të mbështetur qeverinë në luftën kundër rebelëve proiranianë hutë, transmeton Tanjug.

Lajme të ngjashme