Levica në takim me ambasadoren kubaneze: Maqedonia të votojë për heqjen e bllokadës amerikane ndaj Kubës

Deputetët nga Levica, Amar Mecinoviq dhe Saško Jançev, zhvilluan një takim me znj. ambasadoren e Republikës së Kubës, Marieta Garcia Jordan, në prag të debatit tradicional në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për heqjen e bllokadës ekonomike njëanshme amerikane ndaj Kubës, i cili do të mbahet më 27 tetor.
Gjatë takimit u diskutuan pasojat disa dekadëshe të bllokadës amerikane ndaj popullit kubanez, ku u theksua se deri në 80% e popullsisë së Kubës ka kaluar gjithë jetën nën sanksione ekonomike. Levica njoftoi se dënon politikën e ndëshkimit kolektiv të një populli të tërë për shkak të realizimit të interesave gjeopolitike, si dhe përsëritjen e etiketimit amerikan të Kubës si "shtet sponsorizues i terrorizmit". Sipas partisë, është veçanërisht hipokrite që një cilësim i tillë t’i drejtohet një shteti që me dekada dërgon mjekë dhe ndihma mjekësore nëpër botë dhe arrin arritje të rëndësishme në fushën e mjekësisë.
Gjatë takimit u theksua gjithashtu nevoja që Maqedonia të kthehet në pozicionin tradicional të diplomacisë maqedonase, të bazuar në sovranitet, pavarësi dhe solidaritet ndërmjet popujve.
"Vitën e kaluar, Maqedonia për herë të parë u largua nga ky pozicion dhe iu bashkua pakicës së shteteve që votuan kundër rezolutës për heqjen e bllokadës amerikane ndaj Kubës, në vend që të qëndronte me shumicën e madhe të komunitetit ndërkombëtar", kujton partia.
Levica mendon se e drejta ndërkombëtare nuk duhet të jetë çështje e përshtatshmërisë politike, as sovraniteti i shteteve të varet nga madhësia e tyre, pozicioni gjeografik apo gatishmëria për t’u nënshtruar fuqive të mëdha. Nëse Maqedonia me të vërtetë angazhohet për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ato rregulla duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.
Prandaj, Levica kërkon që Qeveria e Republikës së Maqedonisë më 27 tetor të votojë PËR rezolutën e Kombeve të Bashkuara për heqjen e bllokadës ekonomike amerikane ndaj Kubës dhe të korrigjojë padrejtësinë e vitit të kaluar.
"Populli maqedonas ka një traditë historike solidariteti me popujt që luftojnë për pavarësinë, dinjitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes. Politika e jashtme maqedonase duhet të vazhdojë këtë traditë, dhe jo të nënshtrohet interesave shtetërore ndaj interesave të huaja gjeopolitike", shtohet më tej.



