Kuba akuzon për presione amerikane ndaj vendeve para votimit për embargon

Ministri kuban i punëve të jashtme, Bruno Rodriguez, akuzoi SHBA-në se kërcënon me sanksione vendet që javën e ardhshme në Kombet e Bashkuara do të mbështesin një rezolutë që kërkon heqjen e embargos amerikane ndaj Kubës.
"Departamenti i Shtetit ushtron presion të paprecedentë për të detyruar vendet anëtare të OKB-së të ndryshojnë mënyrën e votimit", deklaroi Rodriguez.
Sipas tij, përfaqësuesit amerikanë kërcënojnë me refuzim vizash dhe vendosje sanksionesh tregtare dhe ekonomike ndaj vendeve që do ta mbështesin Kubën.
Embargoja tregtare amerikane ndaj Kubës është në fuqi për më shumë se 60 vjet dhe kufizon ndjeshëm tregtinë dhe marrëdhëniet biznesore midis dy vendeve. Autoritetet kubane pretendojnë se sanksionet i dëmtojnë seriozisht ekonominë dhe e vështirësojnë furnizimin me ushqim, ilaçe dhe karburant.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nga viti 1992 pothuajse çdo vit miraton me shumicë të madhe rezoluta për heqjen e embargos, por ato nuk janë ligjërisht detyruese.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, më parë këtë javë i bëri thirrje vendeve anëtare të votojnë kundër rezolutës. Votimi është paralajmëruar për 27 dhe 28 tetor.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump që nga janari ka intensifikuar më tej presionin ndaj Kubës, duke përfshirë kufizime në furnizimin me karburant dhe sanksione ndaj funksionarëve kubanë dhe institucioneve shtetërore.
Edhe pse rezoluta mund të ketë peshë politike, ajo nuk mund të heqë embargon, sepse për këtë nevojitet një vendim i Kongresit amerikan.



