E hënë, 19 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Pas trazirave masive në Francë, disa vende paralajmërojnë për rreziqet e sigurisë

19.10.2026, 19:03

Disa vende evropiane sot paralajmëruan qytetarët e tyre që udhëtojnë në Francë të shmangin tubimet e mëdha dhe të jenë të kujdesshëm për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, pasi gjatë fundjavës u arrestuan mijëra persona dhe gjatë protestave u plaçkitën dyqane, transmeton "Reuters".

Demonstratat që u mbajtën të shtunën në të gjithë Francën për shkak të çmimeve të larta dhe përkeqësimit të shërbimeve publike u kthyen në trazira, ku u dogj edhe një ndërtesë komunale, ndërsa grupe të dhunshme u përplasën me policinë.

Për shkak të situatës, ministritë e jashtme të disa vendeve evropiane lëshuan paralajmërime të reja për udhëtimet në Francë.

Italia i këshilloi qytetarët e saj të regjistrojnë qëndrimin në Francë përmes faqes së internetit ose aplikacionit, në mënyrë që autoritetet të mund t’i gjejnë nëse është e nevojshme. Njëkohësisht, i ftoi të shmangin tubimet e mëdha dhe të jenë veçanërisht të kujdesshëm.

Ministria gjermane e Punëve të Jashtme paralajmëroi se trazirat e reja nuk përjashtohen në ditët në vijim dhe i ftoi qytetarët të respektojnë udhëzimet e policisë lokale. Po ashtu theksoi se personat që nuk do të largohen nga tubimet e paligjshme pas urdhrit të policisë mund të gjobiten ose të kërkohet kompensim dëmi prej tyre.

Ministria çeke e Punëve të Jashtme vlerësoi se situata e sigurisë në Francë është përkeqësuar dhe rekomandoi shmangien e demonstratave, marshimeve protestuese dhe tubimeve publike, transmeton agjencia çeke ČTK.

Polonia gjithashtu i këshilloi qytetarët e saj të shmangin vendet ku mbahen protesta, por nuk ndryshoi vlerësimin e përgjithshëm për sigurinë e udhëtimeve në Francë.

Holanda në një paralajmërim të fundit të azhurnuar më 7 tetor rekomandoi shmangien e protestave, ndërsa Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia i ftuan qytetarët e tyre të qëndrojnë larg demonstratave dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Lajme të ngjashme