Vens për trazirat në Francë: Emigracioni shkaktoi dhunën, demokratët duan të njëjtën gjë për SHBA-në

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vens vlerësoi se emigracioni është përgjegjës për dhunën që shpërtheu gjatë protestave në Francë, duke akuzuar demokratët opozitarë se duan të njëjtin skenar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Progresistët perëndimorë kanë importuar botën e tretë në Francë dhe në vende të tjera në emër të diversitetit dhe dhembshurisë. Ata kanë injoruar çështjet themelore të asimilimit dhe përputhshmërisë. Janë paralajmëruar se kështu do të përfundojë, por nuk dëgjuan", shkroi Vens në rrjetin social X.
Zëvendëspresidenti amerikan komentoi edhe videon ku shihet një zjarr në ndërtesën e këshillit qytetar në Limoges.
"Lutem që Franca, një vend i bukur me banorë të bukur, ta ndalë këtë çmenduri para se të digjen edhe më shumë monumente", shkroi ai.
Vens, i cili konsiderohet një kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale në vitin 2028, lidh ngjarjet në Francë me zgjedhjet për Kongresin amerikan, të planifikuara për 3 nëntor, para të cilave republikanët përballen me perspektiva të pafavorshme.
"Shpresoj që amerikanët t'i kushtojnë vëmendje. Kjo është e ardhmja që deputetët demokratë duan për vendin tonë", shtoi zëvendëspresidenti.
Konsrvatori 42-vjeçar shpesh kritikon politikat evropiane të emigracionit, duke i vlerësuar si tepër të buta.
Forcat e sigurisë franceze kanë arrestuar 1,200 persona gjatë dhunës që shpërtheu dje në protestat në të gjithë vendin, njoftoi kryeministri francez Sebastian Lekorni. Sipas tij, janë plagosur 150 policë dhe anëtarë të xhandarmërisë.



